E pamundura nuk mund të ndodhë në sportin e futbollit. Për këtë mjafton të pyesësh Carolina Jaramillo, e cila në orët që pasojnë do të shkruajë një faqe të historisë së sportit. Carolina, anëtare e kombëtares meksikane për femra, do të bëhet femra e parë që do të luajë futboll me një ekip meshkujsh, pas kontratës që nënshkroi dje me skuadrën meksikane të Atletico Baja, ekip që militon në “Major Arena Soccer League”.
“I kam dëgjuar komentet e njerëzve, disa thonë që kjo nuk është e drejtë dhe disa të tjerë më mbështesin. Por për mua kjo është një sfidë”, ka deklaruar Carolina Jaramillo, e cila luan edhe me skuadrën e femrave të Xolos de Tijuana, që militon në “Liga MX Women”. Por debutimi i futbollistes femër me një ekip meshkujsh pritet të ndodhë po sot, në takimin ndaj Coyotes de El Paso.