Zagreb, 11 gusht – Dijana Majer, epidemiologe në Entin kroat të Shëndetit Publik dhe udhëheqëse e Repartit për ndjekjen dhe avancimin e shëndetit të fëmijëve dhe të rinjve të moshës shkollore, sot e komentoi vaksinën ruse kundër Kovid-19, të lejuar për përdorim pas vetëm më pak se dy muaj testime klinike ndaj njerëzve.
Ajo theksoi se nuk ka dëshmi shkencore se vaksina është e sigurt dhe efektive.
Në pyetjen se sa është reale që një vaksinë e tillë të hyjë në përdorimin komercial dhe vallë Kroacia do të vendoste për të, Majer u përgjigj se kjo nuk guxon të ndodhë.
“As rastësisht! tha ajo. Në media shkruan se duhet të fillojnë me vaksinimin në tetor, që është shumë herët, shumë optimiste, joreale për mua, sepse dihet se sa zgjat testimi i ilaçit dhe vaksinës. Rusët, kinse kanë filluar studime klinike në maj. Gati është e pamundur që Kroacia të jetë në mesin e kandidatëve që të marrë vaksinën deri më tetor. Gati jam e sigurt se Kroacia nuk do ta përdorë këtë vaksinë”, shpjegoi ekspertja.
Presidenti rus Vladimir Putin, i cili e bëri të ditur lajmin për vaksinën, tha se edhe vajza e tij ishte vaksinuar. Sipas Majerit kjo ishte e tepërt. “Unë kam një vajzë dhe sigurisht që nuk do ta vaksinoja me atë vaksinë, dhe besoj se shumë nga kolegët e mi nuk do ta bënin këtë. Kur vaksina vërtetohet shkencërisht se është e sigurt, efektive … kur kemi prova të mjaftueshme shkencore, atëherë unë sigurisht që do të vaksinoj fëmijën tim” tha epidemiologia Majer.