Njëherësh analizat e portalit energjetik Sinapsis tregojnë se si shtet në vitin 2020 renditemi ndër pesë të parët për importin e rrymës në Evropë.
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 maj – Maqedonia e Veriut ka shënuar një import të madh të rrymës në vitin e kaluar prej 32 për qind. Sipas raportit të fundit të Entit Rregullator për Energjetikë, kjo paraqet një rritje të dukshme të importit të rrymës në raport me sasinë e importuar prej 24.39 për qind në vitin 2019 dhe 26 për qind në vitin 2018. Njëherësh analizat e portalit energjetik sinapsis , tregojnë se si shtet në vitin 2020 renditemi ndër pesë të parët për importin e rrymës në Evropë. Me fjalë të tjera, bilanci i nevojave dhe sigurimit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, tregon se në vitin 2020 në sistemin vendor elektro energjetik dhe elektro distributiv janë dorëzuar
8.479 gigavat orë, prej të cilave 5.128 gigavat orë janë prodhuar energji elektrike nga prodhuesit vendor që është për 9,38 më pak në raport me vitin 2019.
Analizat më tej tregojnë se prodhimtaria vendore e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme si uji,era apo dielli, në vitin 2020 ka qenë 1.499 gigavat orë që është për 9,5 për qind më shumë në raport me vitin 2019. Nga ana tjetër, prodhimtaria e rrymës nga termocentralet në vitin 2020 ishte 3.629 gigavat orë apo 15.4 për qind më pak në raport me vitin paraprak. Mungesa e ujit në hidrocentrale, thatësia e madhe, angazhimi i hidrocentraleve që të prodhojnë rrymë për të kompensuar pjesërisht kapacitetet e bllokuara të termocentraleve për shkak të intervenimeve dhe riparimeve teknike, ishin disa nga shkaqet e importit në rritje të rrymës. Njëherësh, raporti i Entit rregullator të Energjetikës, tregon se për nevojat e konsumit në vend në vitin e kaluar janë importuar 2.341 gigavat orë në raport me 1.825 gigavat në vitin 2019 dhe 1.923 gigavat orë në vitin 2018. Në të nejtën kohë po shënohet eksport prej 639 gigavat orë në vitin 2020, 586 gigavat orë në vitin 2019 dhe 376 gigavat orë në vitin 2018.
Nga ana tjetër, analizat tregojnë një rënie e madhe e prodhimtarisë vendore të rrymës prej 6744 gigavat orë në vitin 2010 në 5172 gigavat orë në vitin 2020 , që paraqet një rënie prej 24 për qind apo 1.617 gigavat orë. Analizat më tej tregojnë se në gati 20 vitet e kaluara po shënon ulje të vazhdueshme prodhimi i rrymës nga termocentralet që dominojnë në prodhimtarinë vendore të energjisë elektrike në periudhën e kaluar.
Prodhimtaria mesatar e energjisë elektrike në termocentrale në periudhën 2002-2006 është 4.866 gigavat orë, nga 2007 deri 2010 është 4.636 gigavat orë , nga 2011 deri 2014 është 4.125 gigavat orë, dhe nga 2015 deri 2018 është 2.946 gigavat orë dhe nga 2019 deri 2020 është 2.902 gigavat orë. “Shkaqet për trendin e uljes së prodhimtarisë në termocentralet janë defektet e shumta dhe ndërprerjet në Termocentralin e Manastirit, ulja e sasive dhe cilësisë së mihur së qymyrit në këtë impiant energjetik, afrimi i fundit të punës së termocentraleve vendore , ulja e efikasitetit të punës e kështu me radhë”, thuhet në raportin e fundit të Entit Rregullator për Energjetikë. Njëherësh në vitin e kaluar kishte edhe vërshime në minierat e qymyrit që furnizojnë termocentralin e Manastirit që ka sjellë deri tek ndërprerja më e gjatë e prodhimtarisë. Njëherësh në tre vitet e kaluara termocentrali i Osllomesë ka shënuar prodhim më të vogël të rrymës, për shkak të rezervave totale në këtë kapacitetet energjetik që veçmë janë shfrytëzuar theksohet më tej në analizën e Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Nga ky institucion vlerësojnë se shteti duhet të ketë parasysh se planet për zhvillimin e elektro centraleve të mëdha që shfrytëzojnë burimet e ripërtritshme të energjisë, para sa gjithash ato të erës, duhet të mbështeten edhe me planet për zhvillimin hidrocentraleve apo termocentraleve të mëdha me gaz, që duhet të jenë përkrahje për sistemin elektro energjetik dhe të japin shërbime të caktuara për menaxhimin e drejtë të sistemit dhe ndërmarrjes së aktiviteteve të caktuara për të mbajtur stabilitetin e tij apo si balans në raport me uljen e produktivitetit të kapacitetit kryesor të prodhimit të rrymës në vend, termocentralit të Manastirit që me mbi 70 për qind mbulon nevojat vendore për rrymë.
“Por për fat të keq interesimi për elektro centrale të tilla të mëdha është shumë i vogël, jo vetëm në shtetin tonë, por edhe në rajonin më të gjerë, apo nuk po duket ndërtimi i elektrocentraleve të reja në rajon. Andaj nevojitet që institucionet kompetente të ndërmarrin masa konkrete për tërheqjen e investimeve në këtë pjesë të energjetikës, për shkak se si tek objektet e tjera energjetike, afati kohor për ndërtimin e elektorcentraleve të mëdha është tejet i madh apo shumë vjeçar”, thonë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Nga atje shtojnë se sistemi elektro energjetik në vend përkundër problemeve të caktuara në prodhimin e rrymës, është stabil dhe furnizimi me energji elektrike është i vazhdueshëm, në radhë të parë për shkak të lidhjeve të mira me shtetet fqinje. Ndryshe si shtet me gati një të tretën e importit të rrymës për nevojat e rrymës renditemi ndër importuesit e mëdhenj të rrymës në Evropë. Në kontinentin e vjetër import të lartë të rrymës kanë Lituania me 66 për qind, Mali i zi me afër 58 për qind, Estonia me afër 37 për qind, Bosnja me 34 për qind, Hungaria me afër 29 për qind, Danimarka me afër 31 për qind, Sllovenia me 26.6 për qind, Kroacia me 25 për qind etj. (koha.mk)