Më shumë se një e treta e tokës bujqësore nuk punohet, subvencionet që ndahen nuk kanë dhënë efektet e dëshiruara dhe nuk janë shpërndarë si duhet, vlerëson Oda Ekonomike e Maqedonisë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 dhjetor – Bujqësia ka mundësi shumë më shumë të kontribuojë në ekonominë e vendit, ndërsa potencialet e saj nuk janë shfrytëzuar përkundër traditës së prodhimtarisë bujqësore dhe klimës së volitshme. Më shumë se një e treta e tokës bujqësore nuk punohet, subvencionet që ndahen nga viti 207 nuk kanë dhënë efektet e dëshiruara dhe nuk janë shpërndarë si duhet, që e tregojnë edhe shifrat e prodhimtarisë bimore dhe asaj shtazore. Njëherësh, bujqësia vendore ballafaqohet edhe me sfida të mëdha si anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë, marrëveshjet me BE dhe CEFTA që kanë rritur mundësitë për eksport, por kanë rritur edhe konkurrencën në vend. Këto ndër të tjerash thuhen në analizën e Odës Ekonomike të Maqedonisë për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë në vitet e fundit, shkruan gazeta KOHA.
Analiza më tej tregon se kjo degë ekonomike merr pjesë me 13 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo 860 milionë euro është vlera e prodhimtarisë primare, ndërsa 400 milionë euro është vlera e përpunimeve. Pritet që me masa të caktuara, në të ardhmen që do të stimulojnë investimet, do të mund të flitet edhe për dyfishimin e kësaj shifre, në rast se eksportojmë prodhime të përpunuara.
“Për të rritur konkurrencën e sektorit të bujqësisë, nevojitet të lehtësohet qasja e financave për kompanitë e përpunimit, si dhe të investohet më shumë në kapacitetet prodhuese, frigoriferët dhe magazinimin e prodhimeve bujqësore. Kryesorja, në aspektin e modernizimit të bujqësisë dhe rritjes së eksportit – mbeten inovacionet tekniko-teknologjike ku shënojmë një ngecje të dukshme dhe për çka Evropa edhe ofron më shumë mbështetje financiare”, thotë Vasko Ristovski nga Oda Ekonomike e Maqedonisë. Sipas tij, një vëmendje të veçantë në të ardhmen kërkon edhe mbështetja më e madhe ndaj blegtorisë si shtyllë kryesore e zhvillimit të prodhimit bujqësor, adaptimet ndaj ndryshimeve klimatike, mbështetjes më të madhe ndaj fermerëve profesionist që posedojnë më shumë kafshë dhe punojnë më shumë tokë.
Në ndërkohë, nga Ministria e Bujqësisë thonë se po vendosen më shumë masa për të mbështetur bujqësinë. Një nga to është edhe financimi paraprak për të rritur shfrytëzimin e fondeve evropiane zhvillimore. Apo me fjalë të tjera, shteti do të mundësojë financimin fillestar qysh para fillimit të ndërtimit. “Në të ardhmen, firmat që kanë nënshkruar marrëveshje për shfrytëzimin e mjeteve të IPARD fondeve me Agjencinë pagesore në pjesën që nuk financohet nga IPARD, apo investimin vetanak të kërkuesit të mjeteve – do të financojë shteti si hua pa kamatë në periudhë prej tetë vitesh kur duhet të kthehen të hollat. Kjo nënkupton se nëse investimi total është 100 mijë euro, atëherë 50 mijë euro si pjesëmarrje vetanake do të mbulohen nga IPARD”, thotë ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski.
Sipas tij më shumë se 170 milionë euro do të investohen në periudhën 2017-2022 në rritjen e sistemeve për vaditje të tokës. Njëherazi pritet që me ndihmën e Bankës Botërore të investohen afër 30 milionë euro në ndërtimin e qendrave grumbulluese dhe distributive. Ndryshe, agronomët vlerësojnë se Maqedonisë një bujqësie stabile dhe me perspektivë, i mungojnë komunitetet rurale të qëndrueshme që do të kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë vendore dhe plasmanin e prodhimeve vendore në tregjet e huaja. (koha.mk)