Në fillim të vitit 2020, rreth 1.765 milionë të huaj jetonin në Austri. Kjo ndryshe mund të shpjegohet edhe si rreth një e pesta e popullsisë së përgjithshme. Shtetasit e Ballkanit Perëndimor përbëjnë numrin me të madh të huajve në Austri, shkruan kosmo.at. Numri i njerëzve që janë lindur jashtë dhe tani jetojnë në Austri është rritur vazhdimisht gjatë pesë vjetëve të fundit. Migrantët aktualisht përbëjnë 19,8 për qind të popullsisë së përgjithshme. Pjesa më e madhe e migrantëve jetojnë në Vjenë (36,7 për qind), ndërsa më e ulët, në Burgenland me 11.6 për qind.
Sipas broshurës së Fondit Austriak të Integrimit me titull origjinal: “Bundesländer – Statistiken zu Migration & Integration 2020“ thuhet se 53.2 për qind e migrantëve nuk vijnë nga shtetet e BE-së. Ky raport tregon zhvillimet gjatë pesë vjetëve të fundit. Interesante është: Katër në dhjetë të huaj jetojnë në Vjenë (39.7 për qind). Tri vendet kryesore të origjinës që nga viti 2015 kanë mbetur të njëjta. Pra shumica e të ardhurve në Austri janë nga: Gjermania, Bosnja dhe Turqia. Në Austrinë e Ulët lista e migrantëve kryesohet nga rumunët, ndërkohë në Burgenland shumica janë nga hungarezët.
Një statistikë tjetër interesante është për gjatë viteve 2018/19, 26.5 për qind apo 1,135 milionë nxënës kishin një gjuhë amtare përveç gjermanishtes. Krahasuar me vitin shkollor 2015/16, kjo përqindje është rritur me 2.7 për qind. Ndërkohë një hulumtim sipas këtij raporti i është bërë edhe tregut të punës. Rezultatet tregojnë se punëtorët e huaj janë të prekur më shumë nga papunësia sesa punëtorët vendas. Kriza e pandemisë ka përkeqësuar edhe më shumë këtë trend.