Nga Qerim LITA
Siç paralajmëruam në fillim, ky serial dokumentar maratonik, ka për qëllim zbardhjen e politikës diskriminuese të udhëheqjes maqedonase ndaj popullsisë shqiptare, i cili në fillim të viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar kaloi në një shovinizëm të paparë deri në atë kohë. Të përkujtojmë, se gjatë asaj periudhe kohore u bë përpjekje maksimale, të maqedonizohen të gjitha institucionet e atëhershme shtetërore, veçmas ato informative e kulturore si për shembull RTV i Shkupit u emërtua në RTV maqedonase, Filharmonia e Maqedonisë në Filharminia maqedonase, Opera dhe Baleti i Maqedonisë në Opera dhe Baleti maqedonas etj.. Madje jemi dëshmitar se nga disa udhëheqës të lartë të atëhershëm shtetëror të RSM-së, për shqiptarët, u shpik termi tepër ofendues “maqedonas me prejardhje shqiptare”. Është për të ardhur keq, se një terminologji e tillë, u pranua aq me lehtësi nga ana e pjesës dërmuese të mediumeve të atëhershme të Shqipërisë, si ato elektronike poashtu edhe të shkruara, që jo rrallë herë është prezent edhe në ditën e sotme. Se në cilat përmasa kishte shkuar shovinzmi maqedonas asaj kohe, më së miri mund ta shohim përmes publikimit të dokumentit me titull: “Libri i Peticionit”, i hartuar më 26 shkurt të vitit 1991 nga pesë bashkësitë lokale të fshatrave të komunës së Gostivarit: f. Gallat, f. Zuboc, f. Pozharan, f. Tumçevisht dhe f. Vrapçisht. Ashtu siç e thamë më sipër, edhe në këtë dokument, gjithçka konsiderohet si maqedonase, duke filluar nga toka, uji, ajri, qielli, dielli hënë, yjet etj, që “rrezikohen” nga siç thuhet “përvetësimi i popullit jomaqedonas”, përkatësisht nga “pakica shqiptare”, që sipas tyre përbën rastin e vetëm në botë “të kenë dy vende të tyre amë”. Pa dashur të futem në një analizë të thelluar rreth përmbajtjes së tij, dëshiroj të vë në dukje se i njëjti është ndarë në tre nënkapituj: Hyrje, Qëllimi dhe Rezyme. Në këtë numër po e botojmë nënkapitullin e parë, ndërsa dy nënkapitujt tjerë do të botohen të premten e ardhshme.
* * *
“LIBRI I PETICIONIT” të nënshkrimeve të grumbulluara nga bashkësitë lokale të fshatrave: Gallatë, Zuboc, Pozharan, Tumçevisht dhe Vrapçisht, në lidhje me kosovizimin e këtyre hapësirave të RS të Maqedonisë si dhe pezullimin e partive politike PPD-ë dhe PDP-ë.
Gostivar, 26 shkurt viti 1991
Bashkësitë lokale
- Gallatë
- Zuboc
- Pozharan
- Tumçevisht
- Vrapçisht
HYRJE
MË SHUMË SE NJË DEKADË, marrëdhëniet ndërnacionale në RSFJ-ë, me veprime pozitive e konstruktive mbi tërësinë e vendit. Fillimi joserioz ishte në KSA të Kosovës, si epiqendër, me reflekse të fuqishme në mjediset tjera jugosllave. Në RSM-ë marrëdhëniet midis kombit maqedonas dhe pakicës shqiptare, kanë filluar të marrin një rrjedhë të ftohtësisë. Kjo pakicë, jo vetëm se ka të planifikuar natalitet shumë të lartë, me tendenca të qarta nacionalist-përvetësuese e dominuese mbi kombin maqedonas dhe hapësirave të tij, por se ka vërshim intensiv e permanent nga KSA e Kosovës. Kjo e fundit është shprehur veçmas në dy vitet e fundit (nga pjesa e dytë e vitit 89 e 90-të) me aktivitetet për zbatimin e Kushtetutës së re e të ligjeve për një republikë të vetme të Serbisë. Shqiptarët kërkuan të ashtuquajtur azil, të fshehtë e masovik në RSM-ë, veçmas, në pjesën perëndimore të Maqedonisë ku janë më në numër dhe më të koncentruar, me një agrsivitet gjithnjë e më të madh (me natalitet të lartë të paparë deri më sot, vërshim mekanik në republikën tonë, ndërtime të egra në hapësirat të pabanuar ose të lënë pasdore në RSM-ë). Një metodologji e tillë të nacionalistëve shqiptarë në hapësirat maqedonase, realizohet dhe ka një dinamikë shumë të shpejtë. Ata dominojnë në pjesën perëndimore të RSM-së (Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë e Kërçovë).
Në pluralizimin politik të tanishëm në vendin tonë, pushteti ligjvënës në RSM-ë u dha liri më të madhe në veprimin dhe diferencimin politik të tyre. Me një procedim të këtillë të politikës pluraliste në RSM-ë është bërë gabimi historik për ndarjen e hapësirës maqedonase, pushtetin dhe sovranitetin me popullin e jashtëm jomaqedonas. Pikërisht pakicës iu lejua të formoj parti politike, me qëllime të pastra nacionaliste për rrënimin në një perspektiv të integritetit të RSM-së. Historia e afërt tregoi se, shqiptarët ishin armiqtë e mëdhenj të kombit maqedonas me tendenca asimiluese ndaj territorit maqedonas. Krijimin e të ashtuquajturës Shqipëri e madhe, përkatësisht vendin e dytë amë të kombit të njëjtë, përbën rastin e vetëm në botë. Pakica shqiptare në RSFJ-ë e me këtë edhe në RSM-ë, është e vetmja në botë me asi të drejta e liri të pakufizuara në vendin jo të tyre. Taktikat e saj, formimi i dy partive politike PPD-ë dhe PDP-ë me pakicë të pastërt shqiptare (njënacionale) që të dyjat kanë qëllime plotësisht të njëjta, u futën në parlamentin maqedonas dhe filluan të veprojnë e do të veprojnë në mënyrë destruktive. Marrja e pushtetit në komunat nga Maqedonia Perëndimore, me status shumëpartiak, u krijua perspektiv shumë e keqe për sovranitetin dhe integritetin territorial të hapësirës maqedonase, me pasoja të paparashikuara nga rreziku për shqiptarizimin dhe ç’farë jo tjetër.
Metodologjia teorike e agresive për prezencën permanente të lakmisë agresive taktizuese për pushtet, në një vend joshqiptar, na sjell deri te domosdoshmëria, për sjelljen e masave të domosdoshme për mbrojtjen e RSM-së – njeriun maqedonas, përderisa ende nuk është vonë. Populli maqedonas nuk ka qëndruar dhe nuk do të qëndroj duarkryq, reagoi në mënyra më të ndryshme (peticione, tubime e ngjashëm), por organet zyrtare maqedonase, sikur po heshtin ose janë të pafuqishme. Te secili maqedonas, paraqitet nevoja dhe ndjenja e thellë, për ta mbrojtur hapësirën e vet që pas diellit, të ngelet përjetësisht i tij, i pandarë nga askush nga jashtë (nga jomaqedonas).
Në Maqedoni mund të jetojnë edhe njerëz nga nacionalitetet tjera, mirëpo vetëm përmes obligimeve të parapara në aktet e së drejtës ndërkombëtare përkatësisht të KB-së. Këshilli ynë inciues-aksionar, dëshiron të ofroj ndihmë kah rregullimi i përhershëm i të drejtave të pakicave në RSM-ë, sidomos të, tash më të asaj më të madhe, mbi bazat të lartëtheksuara. Ky libër ka zërin, ndjenjën dhe nevojën gjithmaqedonase, si farë e parë burimore për hartimin e Kushtetutës së re maqedonase, ndërsa do të ngelet në historinë e qeverisë maqedonase.
Janar 1991,KËSHILLI INCIUES DHE AKSIONAR”
(vijon të premten e ardhshme)