Evis HALILI
Shkup, 4 korrik – Ekuilibrat në projektet e Ministrisë së Kulturës do të ndryshojnë. Strategji dhe prioritete të reja janë duke u përgatitur brenda institucionit, të cilat pritet të reflektohen së shpejti në projektet dhe programet e ridizajnuara të këtij institucioni, shkruan gazeta KOHA. E perceptuar krejtësisht ndryshe, projektet e ardhshme në kulturë do të duhet të “ulen” sa më pranë publikut, por edhe gjithëpërfshirëse, si për skenën e pavarur, artistët e rinj, produksionet alternative, e të tjera. Kjo është një prej arsyeve që konkurset për shpalljen e një pjese prej tyre janë pezulluar, siç është “Vala e ngrohtë e kulturës”…, por ndryshime rrënjësore priten edhe në Programin vjetor të vitit 2018, konkursi për të cilin duhet të shpallet në fillim të muajit shtator, paralajmëron Petrit Saraçini, këshilltar special i ministrit të Kulturës.
“Ndryshimi do të fillojë me emërime të reja në komisionet që do të shqyrtojnë projektet, ndërsa i tërë programi, kriteret dhe kushtet e konkurrimit do të vihen në binarë të tjerë. Dallimet dhe favorizimet për sektorë të caktuar, si ai i filmit e të tjera do të eliminohen, në mënyrë që edhe disperzimi i të hollave të mos anojë një apo disa sektorë dhe në dëm të të tjerëve. Po ashtu, ne kemi indikacione për keqpërdorime dhe prandaj do të kërkojmë raporte, por jo si deri tani, formale, por inspektimet do të jenë të rregullta, edhe në vendngjarje. Do të jemi shumë të vëmendshëm për të monitoruar se çfarë prodhohet dhe shpërndahet me paratë e qytetarëve. Nuk do të lejojmë që paratë që jepen për një qëllim, të përfundojnë diku tjetër, apo edhe në rastin më të keq që projektet të mos realizohen”, thotë Saraçini.
Sa i takon kritereve të reja të konkurrimit ende nuk dihet sesi do të ndryshojnë, por për shembull, botimet, do të jenë ndryshe nga ato të mëparshmet, që kanë ngushtuar hapësirën për konkurrimin e më shumë operatorëve ekonomikë, apo të botuesve. Dizajni i ri i kritereve do të jetë inkluziv, që të mund të aplikojnë edhe shtëpitë e vogla, të mesme, e të tjera, në mënyrë që skena kulturore në pjesën e botimit të jetë shumë më e diversifikuar dhe të ofrojë kualitet më të madh dhe produkte që do të gjejnë qasje tek shijet e ndryshme të publikut. Një tjetër pjesë e rëndësishme e ndryshimit është përbërja e komisioneve, për të cilat Saraçini thekson se do të jenë transparente me intenca që në to të vendosen emra të njohur për kontributin e atyre artistik. janë veprimtarë të shquar të kulturës që kanë lënë mbresa me veprimtarinë e tyre artistike dhe sigurisht që do t’i vëmë në një pozitë të pakëndshme të vendosin për projektet në kulturë, por llogarisim në kredibilitetin e tyre dhe besojmë se do të bëjnë zgjedhjet adekuate në parim me kriteret e reja që do të vendosen projektet që do të miratohen do të jenë të cilësisë së lartë. Nga ana tjetër, Saraçin, pohon se për momentin janë duke u përballuar me sfida si për realizimin e programit të këtij viti, buxheti i të cilit ka disa “vrima” që nuk justifikojnë shpenzimet e të hollave, por edhe për atë që do të shpallet pas dy muajsh.
“Për realizimin e programit të sivjetshëm dhe buxhetin kemi sfida të hatashme. Një pjesë shumë e madhe e mjeteve të buxhetit tashmë është realizuar, ka edhe projekte dhe honorarë të paguara pa u realizuar projekti, që është një gjë shumë e çuditshme dhe e pazakontë, si në botën afariste ashtu edhe atë të kulturës. Me atë që shihet në terren do të duhet të bëhet një rebalancë e buxhetit por se për sa para konkretisht bëhet fjalë do të shihet në fund të gushtit”, thotë Saraçini.
Në Ministri janë grumbulluar thuajse raportet nga sektorët adekuatë lidhur me atë sesi është punuar deri tani. Por, revizioni i nisur bëhet jo vetëm për vitin e kaluar, por edhe për një periudhë më të gjatë, pasi ka një sërë sinjalizimesh për abuzime. Sa i takon projekteve shqiptare, kryesisht atyre që kanë ngecur, si rikonstruktimi i Teatrit Shqiptar, ndërtim i Bibliotekës dhe Teatrit në Tetovë, raportet e punës do të shohin se si qëndrojnë punët dhe si mund të përshpejtohet përfundimi i tyre. Nën llupë është vënë puna e të gjithë drejtuesve, përfshi edhe ato shqiptarë, por edhe e subjekteve dhe individëve që janë përfitues nga projektet e këtij institucioni. Shkarkimet e drejtuesve të disa institucioneve kanë nisur, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe priten emërime të reja si ushtrues detyre në shumë drejtori.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.