Separatistët e mbështetur nga Rusia, në rajonin Donjeck të Ukrainës, kanë akuzuar pesë të huaj si mercenarë.
Ky proces gjyqësor ka nisur më 15 gusht, kanë thënë mediat ruse.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, “gjyqtari” i rastit, ka thënë se akuzat kundër tre burrave, suedezit, Matias Gustavson, kroatit, Vjekosllav Prebeg, dhe britanikut, Xhon Harding, mund të dënohen me vdekje.
Liderët e asaj që separatistët e quajnë, Republika Popullore e Donjeckut, kanë akuzuar javën e kaluar burrat Gustavson, Prebeg, Harding dhe britanikët, Endrju Hill dhe Dilan Hili se u janë bashkuar forcave të armatosura të Ukrainës.
Sipas tyre, të pesë burrat mund të akuzohen se janë mercenarë, se kanë përgatitur aktivitete terroriste dhe aktivitete për të fituar kontroll.