Taulant Seferi me pak fat do të kishte një karrierë shumë më të madhe si futbollist, por dëmtimet e shumta e kanë penguar dhe tashmë po rindërton gjithçka me një vullnet të hekurt, duke e rinisur nga Winterthur, edhe pse Young Boys nuk e humbet nga sytë, sepse beson shumë te një futbollist me potencial dhe me moshë shumë të re. 21-vjeçari më në fund është kthyer në formë perfekte fizike dhe tashmë nuk po bën vetëm mesfushorin, por edhe golashënuesin.
Në muajin e fundit Seferi ka qenë “flakë”, sepse ka shënuar 2 gola për Shqipërinë U-21 në Estoni në 16 tetor dhe ka shënuar 4 gola të tjerë në kampionatin zviceran të kategorisë së dytë, duke shkuar në 5 gola në total në kampionat. Të shtunën erdhi goli i pestë sezon, në barazimin 2-2 që Winterthur arriti në Schaffhausen, në derbin krahinor.
Në minutën e 64-t Seferi shënoi golin e parë për të tijtë me një goditje të saktë me kokë, duke barazuar përkohësisht, ndërsa në minutën e 83 Winterthur shënoi edhe golin e dytë dhe Seferi për pak shënoi edhe golin e tretë në minutën e 88, por ishte i pafat dhe ekuilibri u kthye në shtesë. Rendiment i shkëlqyer për Seferin, por edhe për Winterthur, që është në krye së bashku me 3 ekipe të tjera, me nga 21 pikë.