Rreth 54.000 banorë të qytetit Augsburg të Gjermanisë në mëngjes janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre, pasi që autoritetet lokale kanë zbuluar një bombë të pashpërthyer nga Lufta e Dytë Botërore, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Berlini. Qyteti për momentin është në bllokim të tërësishëm trafiku derisa ekspertët policorë nuk e çmontojnë bombën e rëndë prej 1,8 tonë, të cilën gjatë Luftës së Dytë Botërore e kanë hedhur aeroplanët e aviacionit ushtarak të Mbretërisë Britanike. Banorët e lagjeve në afërsi të bombës, të cilët janë pjesë e evakuimit më të madh pas Luftës së Dytë Botërore, festën e Krishtlindjeve e festojnë jashtë shtëpive të tyre. Bomba e njohur si “Shkatërrues i blloqeve” më shumë është përdorë në sulmet ajrore të aviacionit britanik në periudhën prej vitit 1942 deri në 1945 dhe ka mundur t’i shkatërrojë të gjitha ndërtesat në radius prej 1,5 kilometra.