Tetovë, 14 qershor – Një automjet Jugo me targa të Shkupit sot në mëngjes doli nga autostrada Tetovë-Gostivar, në afërsi të pikës pagesore të Tetovës, me ç’rast është përmbysur. Automjetin e ka drejtuar një qytetar 76-vjeçar nga Shkupi, ndërsa në automjet ka qenë edhe bashkëshortja e tij, të cilët nuk janë lënduar, deklaroi zëdhënësi i SPB-së Tetovë, Marjan Josifovksi.
Ai theksoi se policia ka kryer inspektim të plotë pas të cilit do të përcaktohen arsyet se pse ka ardhur deri tek dalja nga rruga.
“Për fat të mirë nuk ka të lënduar nga dalja e automjetit nga rruga. U thirr ndihma urgjente mjekësore, ekipi i së cilës erdhi në vendin e ngjarjes, por nuk kishte nevojë për ndërhyrje. Është shkaktuar vetëm dëm material”, tha Josifovski.
Përndryshe, policia e trafikut në Tetovë në aktivitetin e fundit të kontrollit në vetëm disa orë zbuloi 23 shoferë që e kishin tejkaluar shpejtësinë maksimale të lejuar brenda dhe jashtë vendeve të banuara. Ata morën urdhëresa pagesore, ndërsa gjoba monetare, varësisht nga shkelja lëvizë prej 20 deri në 400 euro në kundërvlerë denari, që mund të zëvendësohet duke shkruar nga 15 deri në 65 pikë negative.