Përkundër përpjekjeve të shumta të Qeverisë jugosllave që t’i njollosë figurat udhëheqëse të Lidhjes Kosovare, veprimtaria e saj nuk u shua asnjëherë. Këtë më së miri mund ta shohim nga njoftimet e përditshme të përfaqësive diplomatike jugosllave nga SHBA, Kanada, Turqi si dhe në vendet e Evropës Perëndimore, në të cilat vihej në dukje roli i pakontestueshëm i Lidhjes Kosovare dhe të krerëve të saj
Nga Qerim LITA
Emigracioni politik shqiptar i vendosur në shtetet e Evropës Perëndimore, SHBA dhe në Turqi, pas Luftës së Dytë Botërore, pati një rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së pazgjidhur shqiptare nën pushtimin e Jugosllavisë komuniste. Bartëse e aktiviteteve të tilla në SHBA ishte Organizata Lidhja Kosovare me qendër në Çikago, e cila përmes degëve të saja shtrihej edhe në Nju Jork, Detroit, Boston, Toronto si dhe në shumë qendra tjera të rëndësishme evropiane si: Paris, Bruksel, Kopenhagë, Munih, Romë etj. Në ballë të saj qëndronin atdhetarët dhe veprimtarët e shquar të kauzës shqiptare si: Hafiz Jusuf Azemi, prof.Luan Gashi, Ajet Rushiti, Ekrem Bardha, Bardhyl Shatku, Frenk Camaj e shumë të tjerë.
Burimet e proviniencës policore e diplomatike të ish federatës jugosllave, hedhin dritë mbi përpjekjet e pareshtura të krerëve udhëheqës të Lidhjes Kosovare, veçmas të Jusuf Azemit e të Prof. Luan Gashit. Ata në mënyrë konstante njoftonin për vizitat e shpeshta të këtyre dy personaliteteve të shquara shqiptare, në qendrat më të rëndësishme evropiane: Bruksel, Paris, Kopenhagë, Kajzersllautern, Romë, Vjenë, Stokholm etj, ku siç vihej në dukje, krahas takimeve të rregullta me degët e Lidhjes Kosovare, “zhvillojnë takime të shumta me krerët më me ndikim të organizatave politike shqiptare në Evropë”, siç ishin: Abaz Ermeni, Vasil Andoni, Muhrrem Bajraktari, Vebi Ibraimi, Alinafi Hoxha, Ditar Kurteshi, Hasan Zhubi, Qazim Prodani, Emin Fazliu, Halim Selmani e shumë të tjerë. Qëllimi i atyre takimeve ishte bashkë-rendimimi i aktiviteteve të emigracionit politik shqiptar në SHBA me pjesën tjetër që vepronte në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në Republikën e Turqisë.
Po nga burimet e njëjta, kuptojmë se reagimet e para publike në mbrojtje të demonstratave studentore mars-prill 1981 në Kosovë, si dhe kundër masave të dhunshme që u vendosën nga Qeveria jugosllave (fillimisht në Prishtinë dhe më pas të njëjtat u zgjeruan në mbarë hapësirën e Kosovës), ishte pikërisht Lidhja Kosovare dhe udhëheqja e saj në krye me Jusuf Azemin, prof. Luan Gashin, Ajet Rushitin, Bardhyl Shatkun etj… Konsullata jugosllave në Çikago, më 21 mars njoftonte për një mbledhje të Lidhjes Kosovare të mbajtur po në këtë ditë në Aurorë, në të cilën ishte shqyrtuar mundësia e organizimit të një demonstrate për pjesën e parë të prillit në Uashington apo në Nju Jork. Në mbledhje ishte vendosë që demonstratat të mbaheshin nën moton: “Shkelja e të drejtave njerëzore në Kosovë” dhe “Ndjekja komuniste jugosllave e inteligjencës së re shqiptare nga ana e policisë brutale jugosllave”. Për rrjedhojë, më 13 prill 1981, nën organizimin e Lidhjes Kosovare, si dhe të organizatave tjera shqiptare, në Uashington u mbajtën demonstrata anti-jugosllave në të cilat, sipas burimeve diplomatike jugosllave, morën pjesë mbi 1400 demonstrues. Pas përfundimit të demonstratave, një delegacion shqiptar, i kryesuar nga Jusuf Azemi dhe Ekrem Bardha, zhvilloi një bisedë me senatorin Persy, i cili siç thuhet në një dokument jugosllav, “ju kishte premtuar se Qeveria amerikane sa i përket ngjarjeve në Kosovë, pas demonstratave do të intervenojë deri te Qeveria jugosllave”. Aktiviteti politik e organizativ i Lidhjes Kosovare dhe të krerëve të saj, veçmas të Jusuf Azemit e të Luan Gashit, vazhdoi edhe pas demonstratave masive të 13 prillit 1981 në Uashington. Përfaqësitë diplomatike jugosllave nga Çikago, Detroiti, Nju Jorku etj, pandërprerë njoftonin për manifestime, demonstrata dhe tubime të shumta anti-jugosllave nga ana e emigracionit politik shqiptar në SHBA, përkatësisht të Lidhjes Kosovare.
Në fillim të vitit 1982 Lidhja Kosovare ndërmori një aksion edhe më të gjerë, me qëllim të organizimit sa më të mirë të mërgatës shqiptare në SHBA dhe Kanada si dhe për krijimin e një platforme të përbashkët të organizatave politike shqiptare në mërgim, pa marrë parasysh dallimet e tyre politike e ideologjike. Kështu, më 28 mars 1982, nën organizimin e Lidhjes Kosovare e të Legalitetit, në hotelin “Ruzvelt” të Nju Jorkut, në prani të mbi 500 pjesëmarrësve u mbajt akademia përkujtimore kushtuar një vjetorit të demonstratave shqiptare në Kosovë. Fjalë hyrëse pati Luan Gashi, ndërsa prijësit fetarë, imami Isa Hoxha dhe prifti Prenk Camaj kënduan lutje dhe mbajtën ligjërata, duke i “mallkuar të gjithë ata shqiptarë të cilët në çfarëdolloj mënyre punojnë për RSFJ dhe janë kundër kombit të tyre si dhe shkelin mbi gjakun shqiptar i derdhur në Kosovë”. Në tubim folën edhe Jusuf Azemi, Nderim Kupi, Ali Klisura, Adem Çela etj, të cilët vunë në dukje se “ndaj shqiptarëve në Kosovë kryhet gjenocid, 3.000 të vrarë, 2.000 të plagosur, 1.800 të burgosur …etj.”, se ata janë të vendosur në “kërkesat e drejta për krijimin e Republikës së Kosovës, se opinioni publik botëror është me shqiptarët nga Kosova etj.”.
Aktiviteti i bujshëm i Lidhjes Kosovare shqetësoi tej mase qarqet e atëhershme diplomatike jugosllave. Ky shqetësim i tyre erdhi edhe për faktin se tash më çështja shqiptare nën Jugosllavi, veçmas çështja e Kosovës, sa vinte e ndërkombëtarizohej. M’u për këtë ata në pjesën e dytë të vitit 1982 hartuan një plan ogurzi, i cili pati për qëllim njollosjen dhe komprometimin e figurave udhëheqëse e atdhetare shqiptare në SHBA. Sipas vlerësimeve të komunistëve jugosllav, figura kryesore që i printe fushatës kundër “politikës së tyre”, gjithsesi se ishte Hafiz Jusuf Azemi, prandaj ky aksion duhej filluar pikërisht me të. Më 30 korrik 1982, Sekretariati Federativ për Punë të Jashtme të RSFJ, lëshoi një qarkore deri te përfaqësitë e veta diplomatike me këtë përmbajtje: “Në rrjedhë është realizimi i aksionit i cili ka për qëllim nënçmimin dhe diskreditimin e J. Azemit. Është përgatitur teksti të cilin do ta shpërndajmë nëpërmjet pozitave tona të verifikuara në RF të Gjermanisë, Francës dhe Belgjikës, si dhe në SHBA (Nju Jork, Çikago). Teksti është përgatitur në gjuhën shqipe, në letër gjermane. Kemi mundësi ta përcjellim efektin e veprimit psikologjik, që eventualisht do ta krijonte teksti i përmendur në radhët e EASH, për çka do të informoheni…”.
Nisur nga fakti se letra e shkruar në kuzhinat e shërbimit sekret e Beogradit e të Shkupit, dëmtoi shumë rëndë autoritetin dhe veprimtarinë atdhetare të Jusuf Azemit (e njëjta në formë të ndryshme u shpërnda në shumë qendra Perëndimore), dhe për t’i hedhur poshtë të gjitha ato gënjeshtra dhe trillime të përgatitura kundër kësaj figure të madhe kombëtare nga po ky shërbim dhe veglave më të fëlliqura të saj, në vazhdim të njëjtën po e paraqesim në tërësi:
“PATRIOTËVE SHQIPTAR NË BOTËN E LIRË!
Ne, shqiptarët të thjeshtë, por të ndershëm që gjithsejt jemi dhënë në idealin e lartë për bashkimin definitiv të popullit shqiptarë, në një Shtet të përbashkët, ndijmë veten jo vetëm të gënjyer, por edhe shitur armikut. Disa udhëheqës tanë, të cilëve u kemi besuar, me disa sjellje dhe mënyrës jetësore të tyre, na detyrojnë të ndërrojmë mendimin. Njëri nga ata është Z. Jusuf Azemi, të cilit i kemi besuar shumë, por ma, ne jemi kundrejt, që ai të loj rolin e deritashëm- ne ma nuk i besojmë. Nga udhëheqës si që është Z. Jusuf Azemi, të tillë ka edhe të tjerë, organizatat tona filluan të shkatërrohen.
- Jusuf Azemi duhet të tregoj se, çbëri me të hollat që i dham, me qëllim, që ti tregojmë botës, se shqiptarët si që janë nga natyra, dojnë njëherë e përgjithmonë të kenë shtetin e tyre. A do të na tregoj se çbëri me ato të holla? Dëgjojmë nga shumë njerëz, se në rrugët e tij nëpër Amerikë e Evropë ka harxhuar shumë të holla. Duhet të harxhohen, por jo nëpër hotele luksoze në Paris, Bruksel dhe vende tjera të Evropës. Ne duhet të dijmë pse dhe ku harxhohen ato të holla. Dijmë që Z. Jusuf Azemi ka dhe një biznes të tij, që nuk i takon dhe është kundrejt dëshirave tona – dëshirave të shqiptarëve. Ne nuk dijmë, por duhet parë se a mirret, Z. Jusuf Azemi me gjëra të pameritueshme – biznese a edhe me tregti opiumesh. Mjerisht, gjëra të tilla i përshkruhen dhe Z. Prenk Camajt, për të cilin flitet se është i njëjti si Z. Jusuf Azemi. Ne jemi shqiptarë të thjeshtë, por jo edhe aq sa të mos jemi në gjendje ta kuptojmë të vërtetën. Koha është e tillë, që na duhen njerëz, të cilët me siguri do të na udhëheqin në luftë për realizimin e idealeve tona shekullore. Pa udhëheqësi të shëndosh, ne nuk mundemi të bëjmë asgjë, duhet të bashkohemi, por na duhen njerëz tjerë e të vërtetë. Z. Jusuf Azemi, Prenk Camaj e tjerë, si ta, i shiqojnë interesat e tyre personale. Deri tash ato s’bënë asgjë, as që mund të bëjnë. Ata e kanë humbë besimin ndër ne. Ne, na vjen keq për njerëz të tillë, por duhet të hudhen nga lufta jonë.
Kërkojmë prijës të vërtetë të popullit shqiptar!
Rrofshin idealet e vërteta të popullit shqiptar!
Patriotët shqiptar nga Evropa”.
Për sa më sipër, mund të vlerësojmë se me çfarë metodash të fëlliqura, komunistët e Beogradit, përpiqeshin t’i njollosin krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në mërgim. Pa dyshim se një aksion i tillë nuk do të mundej të realizohej po që se në të nuk do të kyçeshin disa vegla më të besueshme të pushtetit, shqipfolës, të cilët në emër të “patriotizmit jugosllav”, përcillnin në çdo hap veprimtarinë atdhetare të mërgatës shqiptare, në këtë rast të Lidhjes Kosovare dhe të figurave të saj, siç ishin: Jusuf Azemi, Luan Gashi, Ekrem Bardha, Bardhyl Shatku, Prenk Camaj, Isa Hoxha e shumë të tjerë. Një pjesë e këtyre veglave vepronin brenda institucioneve të atëhershme jugosllave, ndërsa pjesa tjetër, që ishte edhe më rrezikshme, vepronte nëpër vende të ndryshme të Evropës Perëndimore; SHBA, Kanada, Australi, Turqi etj., dhe për çdo ditë u raportonin padronëve të tyre në Beograd, Shkup e Prishtinë për aktivitetet e mërgatës shqiptare. Komunistët e Beogradit, Shkupit e Prishtinës, për ta përcjellë veprimtarinë e Jusuf Azemit e të Luan Gashit, kishin angazhuar 88 bashkëpunëtor, të cilët ishin shpërnda në disa qendra më të rëndësishme botërore, si: Çikago, Nju Jork, Detroit, Toronto, Kopenhagë, Bruksel, Paris, Stamboll, Ankara, Munih, Romë etj. Mirëpo, përkundër përpjekjeve të shumta të Qeverisë jugosllave që t’i njollosë figurat udhëheqëse të Lidhjes Kosovare, veprimtaria e saj nuk u shua asnjëherë. Këtë më së miri mund ta shohim nga njoftimet e përditshme të përfaqësive diplomatike jugosllave nga SHBA, Kanada, Turqi si dhe në vendet e Evropës Perëndimore, në të cilat vihej në dukje roli i pakontestueshëm i Lidhjes Kosovare dhe të krerëve të saj. Ishin të kota përpjekjet e shumta të klikës komuniste jugosllave, që përmes rrjetit të gjerë të bashkëpunëtorëve të tyre, ta diskreditojnë këtë organizatë të mirëfilltë kombëtare, sepse e njëjta, falë punës së palodhshme të Jusuf Azemit e të Luan Gashit, arriti që problemi shqiptar në Jugosllavi të merr karakter ndërkombëtar. Lidhja Kosovare në krye me Jusuf Azemin dhe Luan Gashin, për 40 vjet me radhë mbajti gjallë çështjen e pazgjidhur shqiptare në ish RSFJ. (koha.mk)