“Grupet e punës së Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë në bazë ditore punojnë në tejkalimin e dallimeve të të dyja vendeve lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Po përgatitet aneks shtesë të këtij dokumenti”, tha Osmani, ndërsa u shpreh optimist se Komisioni i historianëve dhe shkencëtarëve do të arrijë të tejkalojë dallimet
Destan JONUZI
Shkup, 27 tetor – Ende është e paqartë nëse në dhjetor do të mbahet ose jo Konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian (BE) për shkak të insistimit të Sofjes që së pari Shkupi të pranojë kërkesat konkrete. Kryeministri Zoran Zaev pas takimit të tij online me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe çështje sigurie, Zhoze Borel, me kryetarin e Këshillit të Evropës, Sharll Mishell, me kryetarin e Parlamentit Evropian, David Sasolli, si dhe me evrokomisari për fqinjësi të mirë, Oliver Varheji, ka deklaruar se të gjithë folësit besojnë se deri në fund të vitit do të mbahet Konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, por theksojë se nuk përjashtohet mundësia që ajo edhe të mos mbahet atëherë pasi që vendimet e BE-së merren me konsensus nga të gjitha vendet anëtare.
Ai madje paralajmëroi edhe mundësi tjetër përmes së cilës do të tejkalohen pengesat për rrugën eurointegruese të vendit, duke përjashtuar kategorikisht një marrëveshje të re me fqinjin lindor, por duke i dhënë mundësi një aneksi të ri ose deklarate. “Ne kemi një marrëveshje të shkëlqyer. Ai ishte i bazuar në Marrëveshjen e Prespës. Ato ishin vendime të rëndësishme nga pala bullgare dhe maqedonase. Nuk besojë se ka marrëveshje më të mirë që mund të arrihet mes palës maqedonase dhe asaj bullgare. Ekzistojnë vegla dhe mënyra tjera për zgjidhjen e kësaj çështje, me një deklaratë publike, me deklaratë të shkruar, me marrëveshje, aneks të marrëveshjes dhe të ngjashme”, ka deklaruar Zaev. Më të, në takimet online kanë qenë edhe shefi i diplomacisë Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov.
Në anën tjetër, shefi i diplomacisë, Bujar Osmani deklaroi të hënën se Bullgaria po konteston emrin e shkurtër të vendit dhe gjuhën. Megjithatë, ai shprehet optimist se Komisioni i historianëve dhe shkencëtarëve do të arrijë të tejkalojë dallimet. “Grupet e punës së Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë në bazë ditore punojnë në tejkalimin e dallimeve të të dyja vendeve lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Po përgatitet aneks shtesë të këtij dokumenti”, konfirmoi Osmani, ndërsa informoi se edhe gjatë vizitës së tij në Sofje është biseduar për dallimet nga pritjet dhe interpretimet e ndryshme të zgjidhjeve të caktuara të Marrëveshjes dhe si të lehtësohen zgjidhje të caktuara.
“Konstatuam se kemi dallime në pritjet tona lidhur me atë sa deri tani kjo Marrëveshje ka dhënë rezultat lidhur me çështjen për të cilën është dedikuar gjegjësisht nënshkruar. Dhe këtu i hapëm të gjitha çështjet dhe u dakorduam të formojnë grupe pune, nga të dyja ministritë të cilat në bazë ditore do të bisedojnë lidhur me këto dallime në pritjet, interpretimet e ndryshme të zgjidhjeve të caktuara, si të lehtësohen shqetësime të caktuara të njërës apo palës tjetër nga disa zgjidhje. Siç është për shembull emri i ri i shkurtë, nëse emri i shkurtë shkakton shqetësim të caktuar në Republikën e Bullgarisë se dikush mund ta interpretojë si pretendim territorial të rajonit historik të Maqedonisë, mendoj se ne nuk kemi problem të bëjmë një shpjegim shtesë deri te pala bullgare se emri i ri është në përdorim si edhe emri i gjatë ashtu edhe ai i shkurtë, megjithatë edhe emri i shkurtë dhe i gjatë përfaqësojnë të njëjtin territor ndërsa kjo është Republika e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Osmani. Sipas tij, nuk ka kurrfarë dileme se duhet të zgjidhen dhe të sqarohen çështje të caktuara, si dhe në detyrimin tonë për mosndërhyrje në çështjet e brendshme të shteteve fqinje. Lidhur me çështjet historike, shefi i diplomacisë tha se do të donte t’i inkurajojë komisionet e të dyja vendeve sa më shpejt të vijnë deri në zgjidhje të caktuara të cilat do të japin një dinamikë të re në marrëdhëniet midis të dyja vendeve me pikëpamje për të ardhmen, e jo për të kaluarën. (koha.mk)