Shkup, 2 prill – Një aeroplan i vogël i tipit Cesna P210N, i cili ka fluturuar nga Ohri për në Sofje pasdite në ora 16:16 është zhdukur nga sistemi i radarit të kontrollit të fluturimeve. Kontakti është humbur në perëndim të “Sollunska gllava”. Dy helikopterë të policisë janë në kërkim të Cesnës së zhdukur, konfirmoi për MIA-n, drejtori dhe kryetari i KD M-NAV, Nikollçe Taseski.
“Në ora 16:16 është humbur kontakti me një aeroplan të vogël të tipit Cesna P210N, i cili ka fluturuar nga Ohri drejt Sofjes. Për shkak të kushteve të këqija ka vendosur që të aterojë në Shkup, ndërsa pas një kohe të shkurtër ka kërkuar leje që të vazhdojë për në Sofje”, tha Taseski.
Ai shtoi se para se të humb kontaktet aeroplani nga radarët, piloti ka paraqitur se ka turbulenca të fuqishme.(koha.mk)