Delvina KËRLUKU
Elezi u lind më 11 mars të vitit 1959 në Çajlë, Komuna e Gostivarit. Shkollën fillore dhe të mesme-gjimnazin i kreu në Gostivar, ndërsa Fakultetin Juridik e regjistroi në vitin 1978 në Universitetin e Prishtinës, në të cilin edhe diplomoi në nëntor të vitit 1982. Në dhjetor të vitit 1998 regjistroi studimet posdiplomike në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, drejtimi administrativo-kushtetues, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 2001, me temën e magjistraturës “Kontrolli parlamentar i qeverisë, me vështrim të veçantë në Republikën e Maqedonisë, në periudhën 1990-2000”. Në janar të vitit 2002, regjistroi studimet e doktoraturës, po ashtu në Fakultetin Juridik në Prishtinë, ku dhe doktoroi në nëntor të vitit 2007, me temën “Krizat parlamentare–shkaqet e paraqitjes, si dhe mënyrat e tejkalimit të tyre”. Pas mbarimit të Fakultetit Juridik, në qershor të vitit 1983 u punësua në Organin e Administratës Komunale të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit Komunal të Gostivarit, ku ushtroi një sërë detyrash, edhe atë: praktikant, refernt, inspektor, shef shërbimesh profesionale të Kuvendit Komunal dhe të Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Gostivarit dhe në vitin 1991 u emërua si kryeshef i Njësisë rajonale në Gostivar të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale të Republikës së Maqedonisë. Në vitin 1997 nga Parlamenti i Maqedonisë u emërua në postin e zëvendësekretarit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, të cilin post e ushtroi deri në gusht të vitit 2001. Në shtator të vitit 2001 u punësua në UEJL në Tetovë, si mësimdhënës në Fakultetin e Administrimit Publike ku, prej vitit 2001 e deri në vitin 2005, ushtroi edhe detyrën e Prodekanit në të njëjtin Fakultet. Aktualisht është në marrëdhënie të rregullt pune si ligjërues i lëndës “E drejta kushtetuese dhe lëndë tjera nga fusha administrative-juridike”.
KOHA: I nderuar z. Elezi, jeni përkushtuar shkencës si një sistem diturish dhe njohurish për ligjet e zhvillimit të natyrës dhe të shoqërisë. Çfarë do të thotë të merresh me shkencë dhe jo me politikë dhe anasjelltas?
ELEZI:Të merresh me shkencë do të thotë të bësh përpjekje psikike që të absorbosh sa më shumë njohuri ndaj rrethanave, të cilat të rrethojnë qofshin natyrore apo shoqërore dhe nga të cilat varet ekzistenca jote dhe e shoqërisë në përgjithësi. Andaj, unë mendoj se shkenca dhe politika janë dy fenomene të ndërlidhura ngushtë njëra me tjetrën, pa të cilat pothuajse është i pamundur organizimi dhe mirëqenia shoqërore. Pra, marrja me shkencë, sipas mendimit tim, është më produktive në funksion të avancimit të politikës dhe politikëbërjes në përgjithësi. Ndërsa, marrja me politikë do të thotë të jesh i lidhur drejtpërsëdrejti me jetën e përditshme të njerëzve dhe nevojat e tyre për një jetë më të organizuar dhe mirëqenie sociale më të avancuar në organizimin dhe funksionimin politiko-juridik të shtetit. S’do mend se njerëzit e shkencës janë më produktivë në përsosjen e politikave në funksion të qeverisjes së shtetit. Mirëpo, politika kërkon edhe afinitete tjera ne organizimin dhe funksionimin e shtetit. Politika është veprimtari e ndjeshme, ngase është e lidhur ngushtë me interesat e shoqërisë, përkatësisht të njerëzve në jetën e tyre të përditshme. Andaj, politikanët duhet të kenë sinqeritet, ndershmëri, autoritet, pavarshmëri ekzistenciale, si dhe njohuri shkencore.
KOHA:Njeriu që merret me shkencë, s’duhet të humbë kohë në politikë, sepse politika është thjesht humbje kohe?
ELEZI:Unë mendoj ndryshe, ngase sa më shumë merresh me shkencë e sidomos me shkencat shoqërore, aq më i përgatitur dhe më i dobishëm do të jesh për politikën, ngase politika kërkon profesionalizëm, e asaj i thonë politikologji, pra politikë profesionale, që mund të arrihet vetëm përmes shkencave politiko-juridike dhe shoqërore dhe një qasjeje serioze studimi ndaj tyre, që nuk është humbje kohe, përkundrazi është kohë e çmueshme dhe shumë frytdhënëse në jetën politike. Një ndër politikanët e njohur, që i vuri bazat e Turqisë se sotme, z. Erbakani ka thënë se “nëse ne s’merremi me politikë, politika do merret me ne”. Politika nënkupton “artin e së mundshmes” , që përfshin një rrugë me shumë sfida shoqërore për të arritur një mirëqenie të begatshme për ardhmërinë e vendit. Andaj, të merresh me politikë nuk është humbje kohe, por nëse politika merret me ty atëherë është humbje kohe, e kjo nuk do të ndodhë nëse politikani ka njohuri shkencore, pra merret edhe me shkencë.
KOHA:Në çfarë barriera keni ecur, duke pasur parasysh se gjithë jeta studentore u ka kaluar në Prishtinë, pra në Kosovë?
ELEZI:Jeta studentore është një pjesë bukur e mirë e jetës sime. S’do mend se edhe unë si gjithë të tjerët jam ballafaquar me barriera prej më të ndryshmeve gjatë jetës studentore. Në vitin 1978 u regjistrova në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në Kosovë, ku me sukses solid diplomova në vitin 1982. Në këtë periudhë barriera ime e parë ishte se për herë të parë u largova nga vendlindja dhe si çdo fillim i kishte edhe vështirësitë e veta, por falë bujarisë së vëllezërve kosovarë dhe profesorëve tanë të dashur që për ne studentët jashtë Kosovës kishin një trajtim të privilegjuar nga ana e tyre. Shumë shpejt u adaptuam dhe unë personalisht e ndjeja Prishtinën si vendlindjen time të dytë, por edhe sot e kësaj dite i kam pot njëjtat ndjenja nda Prishtinës dhe Kosovës. Në këtë periudhë studimesh në Kosovë ndodhën shumë turbulenca politike, e sidomos Demonstratat studentore të vitit 1981. Në këto demonstrata për herë të parë u ngrit zëri publik studentor dhe kishte një solidaritet pothuajse total i gjithë shqiptarëve, jo vetëm të kosovarëve, por edhe të shqiptarëve të Maqedonisë dhe viseve tjera të ish-Federatës Jugosllave, për Kosovën Republikë. Kjo ishte një ngjarje e madhe edhe për studentët shqiptarë nga Maqedonia, ngase ndiqeshim dhe torturoheshim me metoda prej më të ndryshmeve nga Sigurimi Shtetëror i Maqedonisë dhe kjo ma vështirësoi mjaft jetën studentore në prag të diplomimit.
KOHA:Çfarë e dallon Maqedoninë me Kosovën në rolin dhe funksionimin e institucioneve, pra në qeverisjen demokratike?
ELEZI:Maqedonia dhe Kosova bazën kyçe të organizimit institucional të qeverisjes e kanë në parimet e demokracisë parlamentare dhe në konceptin e një shoqërie multietnike, me premisa të një shteti multietnik dhe këtu nuk mund të shihet ndonjë dallim i veçantë. Dallimi qëndron në aspektin e funksionimit institucional dhe kushtetues të qeverisjes së këtyre dy vendeve. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shumë më progresive dhe demokratike në këndvështrimin e statusit të komuniteteve në Kosovë, se sa Kushtetuta e Maqedonisë. Do të bëja një digresion në mes të këtyre vendeve në segmentin e gjuhës zyrtare, ngase gjuha është çështja bazike në funksionim institucional të qeverisjes së një shteti multietnik. Kushtetuta e Republikës së Kosovës në mënyrë decide përcakton se gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe (neni 5, paragrafi 1), pra, krahas gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare e parasheh edhe gjuhën serbe në tërë territorin e Kosovës dhe institucionet e qeverisjes së vendit, edhe pse serbët në Kosovë janë më pakë se 10 për qind, ndërsa gjuha turke, ajo boshnjake dhe rome janë si gjuhë zyrtare në nivele komunale. Ndërsa, Kushtetuta e Maqedonisë (neni 7 përkatësisht amendamenti V, pika 1) si shtylla kryesore e qeverisjes së vendit është degraduese në segmentin e zyrtarizimit të gjuhëve. Kjo Kushtetutë, jo vetëm që s’e përcakton zyrtarizimin e Gjuhës Shqipe ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Kosovës Gjuhen Serbe, por Gjuhën Shqipe e trajton si gjuhën e komunitetit jo më pak se 20 për qind, pra si objekt-si numër matematikor dhe jo si subjekt-si komb shtet-formues, por me përdorim zyrtar me kapacitete të cunguara, edhe pse Populli Shqiptar në Maqedoni është mbi 25 për qind dhe se i posedon të gjitha elementet sociologjike dhe politike të etnitetit dhe popullit shtetëformues në Maqedoni. Sipas bindjes sime këtu është dallimi thelbësor i qeverisjes demokratike në mes Kosovës dhe Maqedonisë. Dhe nga kjo konstatoj fuqishëm se Kosova ka qeverisje më progresive dhe demokratike vizavi Maqedonisë. Prandaj, ju rekomandoj politik-bërësve shqiptarë në Maqedoni mos merren me ndryshime ligjesh, por ata duhet urgjentisht të merren me sjelljen e një Kushtetute të re në Maqedoni dhe ajo t’i ngjajë Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
KOHA:Administrata publike në Maqedoni karakterizohet nga një proces i vazhdueshëm zhvillimi. Kjo kërkon pa dyshim njerëz të përgatitur, profesionistë, të ndershëm, të aftë për t’iu përgjigjur ndryshimeve të vazhdueshme?
ELEZI:Administrata, si dukuri shoqërore, është prezent në çdo pore të organizimit shoqëror dhe luan rolin kryesor në funksionimin e të gjitha institucioneve shoqërore, duke filluar nga ato shtetërore, ekonomike, politike, etj. Një ndër mekanizmat kryesorë të shtetit për ta ushtruar pushtetin e tij nga sfera e veprimtarisë ekzekutivo-urdhërdhënëse, është administrata e cila paraqet hallkën kryesore që e lidhë shtetin me qytetarët(shtetasit e tij), qoftë në aspekt të realizimit të të drejtave ose përmbushjes së obligimeve të qytetarëve ndaj shtetit dhe anasjelltas. Pra, lirisht mund të thuhet se administrata paraqet aparatin shtetëror që i vë në lëvizje të gjitha proceset shoqërore dhe politike në shtet. Administrata publike në RM si një veprimtari e gjerë institucionale, që ne vete ngërthen administratën shtetërore-ku bëjnë pjesë kryesisht organet shtetërore si qeveria , parlamenti e të tjera dhe administratën publike, që direkt ka të bëjë me shërbimin e qytetarëve, ka qene dhe është një ndër sfidat më të vështira që ka hasur shteti që nga koha e pavarësimit. Me ndryshimet ligjore dhe me Marrëveshjen e Ohrit filluan reformat rrënjësore në administratën publike te RM, me qëllim te krijimit të një administrate me strukturë organizative, efektive, profesionale dhe të pakorruptuar. Një ndër vërejtjet kryesore nga ana e institucioneve ndërkombëtare që pas 2001 ishte depolitizimi dhe heqja e ngarkesës së administratës publike. Në RM, administrata është e tejngarkuar me tepricë të nëpunëse, që e ngarkon tejmase buxhetin vjetor te shtetit. Mendoj se për të qenë më efikase duhet të ndalohet punësimi në baza partiake, si dhe shtypja partiake ndaj të punësuarve në administratë dhe të vihet në aplikim parimi i meritokracisë.
KOHA:Administrata publike është një nga sektorët kryesorë të sfidave politike dhe historike të vendit, që lidhen me anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Reformat janë parakusht për integrimin e RM-së, në Bashkimin Evropian?
ELEZI:Reformat ne administratën publike janë një ndër parakushtet kryesore për aderimin e vendit në strukturat euroatlantike. Te parakushtet bëjnë pjesë efektiviteti, profesionalizmi, depolitizimi, transparenca dhe zvogëlimi i tepricës së të punësuarve në administratë. Në administratën publike të RM janë të punësuar dyfish më tepër njerëz se sa është dashur, që krijon implikime dhe e rendon buxhetin e shtetit. Në anën tjetër, stërmbushja e zyrave me shumë të punësuar e ul efektivitetin e punës dhe imazhin e institucionit. Fatkeqësisht, administrata publike në Maqedoni vazhdon të rritet, përkundër thirrjeve të vazhdueshme për nevojën e zvogëlimit të saj, por edhe të profesionalizmit të saj. Reformat kyçe që priten nga administrata publike kanë të bëjnë me profesionalizimin dhe departizimin e shërbimit shtetëror. Kjo është theksuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, i cili ka konstatuar mangësi të shumta në punën e administratës, si presione ndaj të punësuarave, mungesë të transparencës, rritje artificiale të numrit të të punësuarve pa respektimin e kritereve as minimale për nevojën dhe shërbimet që duhet t’i ofrojnë. Efektiviteti i administratës nënkupton realizimin e shërbimeve sa me cilësore nga ana e të punësuarve ndaj qytetareve. Institucionet e administratës publike, në bazë të këtyre reformave, duhet t’i kushtojnë rëndësi te madhe transparencës ne pune ndaj qytetareve. Në Maqedoni, çdo herë ka munguar vullneti për reforma të vërteta. Në botë ekzistojnë dy modele të administratës, njëri në funksion të realizimit të të drejtave të njeriut dhe tjetri në funksion të realizimit të politikave qeveritare. Të gjitha shtetet perëndimore praktikojnë modelin e parë, dhe, për fat të keq, Maqedonia ende është në fazën ku administrata është në funksion të realizimit të politikave qeveritare.
KOHA:A kemi ne një administratë të qëndrueshme dhe profesionale që rinovohet nëpërmjet konkurrimit të ndershëm, që krijon mundësi kreative?
ELEZI:Momentalisht shteti ka trashëguar nga mandatet tjera qeveritare një administratë publike joefektive, skajshmërish të politizuar dhe jo të pavarur për kryerjen e punës së tyre pa ndikimin e ‘eproreve’ dhe të atyre që i kanë punësuar. Në RM, për momentin, punësimet realizohen përmes sistemit të vendeve të punës dhe jo të karrierës, që e pamundëson ngritjen e të punësuarit me automatizëm me anë të eksperiencës dhe vlershmeve në stadet më të larta të statusit të tij juridik ne vendin e punës që e kryen. Kjo ndikon në demotivimin e të punësuarve për realizimin e punëve efektive, në kohë dhe transparente. Andaj, logjikisht shtrohet pyetja: Çfarë do të duhej “të ndërmerrte” RM që të ketë administratë të mirëfilltë? Duhet të krijojë një administratë, institucionalisht më të organizuar, operativisht më funksionale, profesionalisht më në nivel dhe më racionale, proceduralisht më efikase, shoqërisht më të kontrolluar, politikisht më përgjegjëse, teknikisht më të përsosur, në pikëpamje humane më të pranuar, e kështu me radhë. Ndërkohë, teoria bashkëkohore kultivon mendimin e themeltë se, në të vërtetë, pa një administratë moderne, të organizuar, funksionale, racionale, efikase, të kontrolluar dhe të përgjegjshme, nuk mund të ketë shtet bashkëkohor, shoqëri bashkëkohore, ekonomi të tregut, shtet juridik dhe as demokraci juridike, sepse, ç’është e vërteta, administrata publike “shtrihet në të gjitha fushat e jetës shoqërore”. Fatkeqësisht, Maqedonia është ende shumë larg performansave të lartpërmendura.
KOHA:A kemi ne një administratë të mirë-organizuar, të tillë që të mundet të përballojë detyrat në një sistem me shtet të vogël, por efektiv që mbështet decentralizimin dhe dekoncentrimin?
ELEZI:Një administratë e madhe nuk mund të jetë funksionale dhe efektive në një shtet të vogël. Administrata publike është e organizuar në shumë institucione shtetërore, si p.sh ministritë në çdo njësi rajonale kanë përfaqësi të veten në të gjitha institucionet e vendit. Në këtë mënyrë është bërë dekoncentrimi i pushtetit nga qendra-ministria në njësinë rajonale, ku qytetaret t’i realizojnë të drejtat dhe nevojat e tyre sa më afër pushtetit. Decentralizimi, për dallim nga centralizimi është proces ku pushteti transferohet prej organeve qendrore politike dhe administrative, në organet e zgjedhura lokale të interesuara për formulimin dhe zbatimin e politikës në regjione specifike, si përgjigje e kërkesave lokale dhe të ndryshueshme. Me ekzistimin e decentralizimit të organeve të zgjedhura lokale me ligj, u përcaktohen kompetenca të veçanta me karakter lokal, me të cilat ato pavarësisht administrojnë (kompetenca të decentralizuara apo burimore), me çka kanë edhe njëfarë autonomie financiare. Për dallim nga decentralizimi, dekoncentrimi si formë e shfaqur e centralizimit, nënkupton njëfarë shkarkimi të organeve administrative më të larta nga obligimi që të sjellin vendime për çështje të caktuara dhe dhënia e fuqisë së caktuar për vendosje përfaqësuesve të pushtetit lokale prej pushtetit qendror.
KOHA:A kemi ne një administratë që bazohet në proceset vendimmarrëse, transparente, përfshirëse dhe e përgjegjshme ndaj publikut?
ELEZI:Vërejtjet e ndërkombëtareve dhe reformat që duhen të bëhen e bëjnë të patjetërsueshme krijimin e një administratë që bazohet ne procese të mirëfillta vendimmarrëse, me transparencë, përfshirëse për të gjithë njësoj, pa dallime dhe me përgjegjësi ndaj qytetareve. Me reformat, proceset vendimmarrëse kane nisur për t’u zbatuar në institucionet e administratës, duke stimuluar punën e ndërlidhur në mes eprorëve dhe vartësve te tyre, ndërsa sa i përket transparencës dhe përgjegjësisë ndaj qytetareve, jam shumë skeptik. Unë këtu do ta përmendi mendimtarin e njohur antik, Ciceronin, i cili në veprën e tij “De Legipus” shkruan për shërbimin administrativ, edhe atë: “Funksioni i magistratit (nëpunësit administrativ) është të administrojë dhe të japë udhëzime, të cilat janë të drejta, të dobishme dhe në pajtim me ligjin. Sikurse që ligji udhëheq me magistratin, ashtu edhe magistrati udhëheq me njerëzit dhe me të drejtë mund të thuhet se magistrati është ligj që flet, ndërsa ligji është magistrat i heshtur. Pa administrim, është e pakuptueshme ekzistenca e një familjeje, qyteti, kombi dhe mbarë njerëzimit. Nga kjo konstatohet se pa prezencën e magistratëve shteti nuk mund të ekzistojë”.
KOHA:Profesor Elezi, arsyet që i shtyjnë pjesëmarrësit të punojnë në administratë janë kënaqësia për të kontribuar në përparimin e vendit?
ELEZI:Për të qenë më i qartë në pyetjen tuaj, do ta citoj profesorin tim të ndjerë Akademikun Esat Stavilecin, i cili thekson: “Çdo krijues është vetvetiu i provokuar me mendimin: nuk mund t’i mësosh të tjerët atë që nuk e ke mësuar vetë. Krijuesi duhet t’i ketë mësuar, por duhet t’i ketë përzgjedhur metodat se si “t’i mësojë të tjerët”. Nuk ka dyshim se metodat e këqija, edhe “mësimin e mirë” e bëjnë të keq. Mësimi mund të krahasohet me “lumin që s’ndalet”. Të punosh në administratë nuk është e njëjte sikur të merresh me politikë, Administrata kërkon profesionalizëm, pavarshmëri politike, ndershmëri dhe sinqeritet, etj. Pra, vetëm me këto performansa mund të kontribuosh në përparimin e vendit. Me politikë mund të merret çdokush, ndërsa me administratë jo çdokush. Këshilla ime do të ishte për të gjithë ata që kanë kënaqësi te punojnë në administratë e sidomos për rininë që të studiojnë administratën publike, me që ne tash kemi Fakultete të Administratës publike dhe aty do të përsosen dhe do të absorbojnë njohuri elementare dhe profesionale për administratën, administrimin dhe menaxhimin e administratës, dhe vetëm kështu do të munden t’i kontribuojnë vendit dhe shoqërisë.
KOHA:Keni arritur të përballeni me sfida, të cilat edhe mund t’i tregoni, pastaj lëvizjet nga një vend në një vend tjetër të punës, e sot profesor, mund t’u jepni një fjalë shprese rinisë shqiptare, që ikën nga ky vend?
ELEZI:Jeta pa sfida s’është interesante. Vetë jeta është një sfidë e madhe e jetës së njeriut. Andaj, unë mendoj se njeriu sa më shumë përballet me sfida dhe i menaxhon ato, aq më shumë përsoset dhe do të jetë më produktiv në mesin shoqëror ku ai jeton dhe vepron. Këtë e them nga përvoja e jetës sime. Jeta studentore për mua ka qenë një sfidë, por me një përkushtim te paluhatshëm dhe punë të palodhshme arrita deri këtu ku jam, pra, sfidat jo vetëm që mund të përballohen, por mund t’i kthesh ne favorin tënd. Në shekullin tim të punës kam ndërruar disa vende pune, por gjithnjë duke u avancuar në vende me përgjegjësi më të lartë. Studimet postdiplomike i kam kryer duke qenë në marrëdhënie pune dhe duke qenë bartës i familjes dhe kjo ka qenë një sfidë, por arrita ta përballoj. Me fillimin e pluralizmit politik, prej vitit 1990 jam marrë edhe me politikë si anëtar i Partisë për Prosperitet Demokratik nga themelimi i saj dhe deri kah viti 2008. Në te kam ushtruar edhe shumë funksione partiake, duke filluar si Sekretar i nëndegës së PPD-së, sekretar dhe kryetar i Degës së PPD-së në Gostivar dhe në fund si Sekretar i Përgjithshëm i PPD-së. Dëshiroj të theksoj se gjithnjë jam marrë me politikë dhe jo politika me mua, ngase asnjëherë s’jam varur nga politika, por për hir të së vërtetës kam fituar një eksperiencë në jetën time profesionale edhe nga veprimtaria ime politike. Po ashtu, kam qenë edhe bartës i disa funksioneve publike. Sa i përket rinisë dhe ikjes së tyre jashtë vendit, fjala ime për të do të ishte, përballuni me sfidat e vështirësitë e jetës suaj këtu në vendlindjen tuaj, ngase ju jeni shpresa e kësaj shoqërie dhe shtetit për të dalë nga kjo katrahurë politike dhe ekonomike e vendit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.