Në Japoni dihet që sporti i arteve marciale mikse ka një përhapje të gjerë, por së fundi ky sport nuk po njeh limite, duke u bërë i rrezikshëm. Sipas WMMA Rankings, 12-vjeçarja MoMo do të debutojë në ndeshjet e arteve marciale mikse, ku do të duelojë ndaj 24-vjeçares Momoko Yamazaki, më 20 maj, në një turne për amatorë (Deep Jewels). Një sfidë që është kundërshtuar shumë, pasi në MMA nuk mund të debutojë asnjë sportiste që nuk ka mbushur 18 vjeçe. Japonia njihet për afrimin në kafaz të talenteve të rinj në këtë disiplinë sportive, si Rena Kubota, që debutoi në kickbox në moshën 16-vjeçare, por në MMA ajo dueloi për herë të parë vetëm në vitin 2015. Ndaj shumë personazhe të arteve marciale mikse e kanë konsideruar këtë sfidë si një gabim të madh, që nuk duhet të ndodhë.