Edhe pse varësisht prej daljes së qytetarëve në zgjedhje përcaktohet numri i votave që duhet të sigurohen që një parti të fitojë një deputet, megjithatë një deputet shqiptarë peshon më shumë se një maqedonas. Në Njësinë zgjedhore gjashtë një deputet zgjidhet me 7500 deri në 9000 vota, ndërsa në Njësinë e tretë dhe të katër zgjedhore – një deputet zgjidhet me 5000 deri në 6500 vota
Destan JONUZI
Shkup, 9 nëntor – Tre muaj para shpërbërjes së Parlamentit, partitë politike dhe institucionet nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim për ridefinimin e njësive zgjedhore që është kusht për zgjedhje të lira dhe demokratike. Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), Njësia e tretë zgjedhore ka minus 5.7 për qind më pak votues sesa mesatarja e gjashtë njësive tjera, ndërsa Njësia e gjashtë zgjedhore ka kaluar mesataren për plus 6.2 për qind. Bazuar në këtë, edhe pse varësisht prej daljes së qytetarëve në zgjedhje përcaktohet numri i votave që duhet të sigurohen që një parti të fitojë një deputet, megjithatë një deputet shqiptarë peshon më shumë se një maqedonas. Në Njësinë zgjedhore gjashtë një deputet zgjidhet me 7500 deri në 9000 vota, ndërsa në Njësinë e tretë dhe të katër zgjedhore një deputet zgjidhet me 5000 deri në 6500 vota, shkruan gazeta KOHA.
Ish-kryetari i KSHZ, Subhi Jalupi, thotë se ky gabim i cili zvarritet ndër vite përfundimisht në këto zgjedhje duhet të zgjidhet dhe se ndryshimet e Kodit Zgjedhor duhet të kalojnë në Parlament. “Njësia numër gjashtë ka mbi 35 mijë votues më shumë krahasuar me njësitë tjera zgjedhore. KSHZ e ka informuar Ministrinë e Drejtësisë se është i nevojshëm balancimi i Njësive zgjedhore. Tani pa humbur kohë propozimi për ndryshime në Kodin Zgjedhor, i cili parasheh balancimin e Njësive zgjedhore, duhet të dorëzohet në Qeveri dhe ajo t’ia dorëzojë Parlamentit për miratim. Në zgjedhjet e planifikuara për 12 prill të vitit 2020, duhet të shkohet me njësi të balancuara dhe të përmirësohet ky gabim ligjor që zgjedhjet të jenë demokratike”, deklaroi për KOHA, Jakupi.
Balancimi i Njësive zgjedhore, shprehet ai, mundëson barabarësi në konkurrencë elektorale dhe jep mundësinë që të rritet numri i deputetëve shqiptarë në Parlament. “Nëse balancohen Njësitë zgjedhore, arrihet barabarësi në konkurrencën politike, por mund të rritet edhe numri i deputetëve shqiptarë në Parlament. Një numër i votuesve nga Njësia zgjedhore numër gjashtë do të kalojë në Njësinë zgjedhore pesë, që mundëson të fitohet edhe ndonjë deputet shqiptarë në atë njësi. Pastaj disa vendvotime nga Njësia zgjedhore numër dy do të kalojnë në Njësinë e tretë, nga pesa te katërta, dhe kështu me ketë balancim rriten gjasat që të fitohen deputetë më shumë në bllokun politik shqiptarë”, thekson Jakupi. Sipas tij, nivelizimi i gjashtë njësive ekzistuese zgjedhore është obligim ligjor, ndërsa përveç kësaj, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, partitë politike kanë kohë që të bien dakord edhe për inkorporimin e disa rekomandimeve bazë të OSBE-ODHIR-it në Kodin Zgjedhor.
Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare të KSHZ-së, Njësia e gjashtë zgjedhore ka 30-35 mijë votues më shumë se Njësia e tretë dhe ajo e katërt zgjedhore. Ndërkaq, partitë politike parlamentare në vend me 20 tetor në një takim në vilën presidenciale u dakorduan që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 12 prill të vitit 2020. Ndërsa, sipas Ligjit për qeverinë, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, vendin do ta udhëheq qeveria teknike, me përfshirje edhe të opozitës. (koha.mk)