Organizata të ndryshme ambientaliste dhe aktivistët e shoqërisë civile, thonë se autoritetet shtetërore duhet të mendojnë masa afatgjate dhe jo masa ad-hock dhe afatshkurte, të cilët sipas përvojës nuk do të japin as edhe një efekt
Zenel MIFTARI
Shkup, 25 tetor – Ndotja e madhe e ajrit sot si kurrë më parë po kërcënon botën në përgjithësi dhe shëndetin e njeriut në veçanti. Sipas studimeve, ndotja e ajrit në qytete të mëdha është më e rrezikshme se prija e duhanit për shëndetin e njeriut. Fatkeqësisht gjatë stinës së dimrit Maqedonia e Veriut, është në listën e zezë të vendeve me ajrin më të ndotur në botë. Qytetet më të ndotura në vendin tonë janë Shkupi, Tetova dhe Manastiri, por edhe qytetet tjera nuk qëndrojnë mirë. Ndotësit më të mëdhenj të ajrit në këto qytete janë oxhaqet e fabrikave dhe shtëpive si dhe veturat e vjetra.
Qyteti i Shkupit si masë kundër ndotjes kishte bërë thirrje publike që qytetarët që ngrohen me dru apo qymyr ta dorëzojnë vullnetarisht shporetin e tyre të ngrohjes dhe në kundër vlerë do të marrin subvencione për ta ndërruar mënyrën e ngrohjes së tyre. Nga Qyteti i Shkupit, bëjnë të ditur se deri më tani mbi 1.000 shporete janë dorëzuar në pikat e mbledhjes në Saraj, Shuto Orizare dhe në pikën e riciklimit të oborrit të NP “Higjiena Komunale” në Karposh. Ndërkohë mjetet që do të subvencionojë Qyteti i Shkupit, për qytetarët që dorëzojnë shporetin për të marrë inverter në vlerë neto 62,000 denarë. “Buxheti i Qytetit të Shkupit për vitin 2020 parasheh 322 milion e 400 mijë denarë për këtë qëllim, të siguruar nga Qeveria dhe me këto mjete pritet të zëvendësohen rreth 5,300 stufa me inverterë, pra rreth 5.000 oxhakë më pak në luginën e Shkupit”, thonë nga Qyteti i Shkupit. Gjithashtu në njoftim thuhet se gjatë dy viteve të ardhshme, në përputhje me kushtet e thirrjes publike, inspeksioni i qytetit ose shtetit mund të inspektojë personat që kanë marrë subvencione, për të parë nëse ata vërtet përdorin inverterët ose nëse është kryer ndonjë mashtrim, për të cilin do të fillohet procedurë për kthimin e mjeteve.
Gjithashtu, Qeveria si masë për uljen e ndotjes së ajrit ka miratuar edhe subvencione të ndryshme për qytetarët, si në mënyrën ne ngrohjes gjatë dimrit, pastaj masa doganore për importin e makinave, për firmat ndërtimore, industrinë e rëndë e të tjera. Organizata të ndryshme ambientaliste dhe aktivistët e shoqërisë civile, thonë se autoritetet shtetërore duhet të mendojnë masa afatgjate dhe jo masa ad-hock dhe afatshkurte, të cilët sipas përvojës nuk do të japin as edhe një efekt. Aktivisti qytetar kundër ndotjes së ajrit, Jeton Ismaili për gazetën KOHA, ka thënë se nuk është e mjaftueshme që vetëm për Qytetin e Shkupit dhe disa qytete tjera të jepen subvencione që të ndërrohet mënyra e ngrohjes së amvisërive. “Për tu përmirësuar dhe ulur niveli i ndotjes së ajrit masa për ndërrimin mënyrës së ngrohjes duhet të jetë për të gjithë qytetet e Maqedonisë së Veriut. Përveç kësaj, zero tolerancë duhet të ketë për oxhaqet e fabrikave të cilët janë dhe ndotësit më të mëdhenj në vendin tonë”, mendon Ismaili. Sipas tij, Maqedonia e Veriut, ka nevojë për politika të gjelbra më të ashpra, sepse këto nuk janë të mjaftueshme për ta përmirësuar nivelin e ajrit. Ai në fund shtoi, se duhet ta ndjekim shembullin e vendeve europiane e në veçanti atë të Gjermanisë e cila ka shembujt më të mirë në përmirësimin e ajrit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetareve.
Metodija Sadzo, nga Qendra e Gjelbër Maqedonase, për gazetën KOHA, është shprehur se në 20 vitet e fundit, si rezultat i ngritjes së aktivitetit të infrastrukturës, vazhdimësia e sezonit të ndërtimit dhe ngritja e numrit të veturave por edhe ndryshimet klimatike kanë ndikuar seriozisht në ngritjen e ndotjes së ajrit në Shkup dhe qytete tjera në vend. “Qyteti i Shkupit së bashku me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare si UNDP, BE, GIZ dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Zhvillimit, në tre vitet e fundit drejtpërdrejt kanë zbatuar aktivitete për të mbështetur qytetarët dhe për të zvogëluar ndikimin e tyre në ndotjen e ajrit. Masa të tilla si subvencione për pastrimin e oxhaqeve, ndërrimin e metodës së ngrohjes, ndërtimin e shtigjeve për biçikletave, subvencion për blerjen e biçikletave dhe trotineteve elektrikë, ndikojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e ndotjes së ajrit në Qytetin e Shkupit dhe mbështetjen ekonomike për qytetarët në mënyrë që bashkërisht të ndikojnë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit në qytet”, i shpreh ai. Në fund, ai shtoi se të gjithë kemi përgjegjësi për të zvogëluar ndotjen e ajrit në qytet dhe prandaj të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për veprimet e tyre, sepse ne ndikojmë drejtpërdrejt në shëndetin tonë dhe të të dashurve tanë.
QYTETET MË TË NDOTURA
Shkupi gjatë ditëve të dimrit disa herë renditet ndër qytetet me ajër më të ndotur në botë. Gjendje të njëjtë për nga ndotja e ajrit sikurse Shkupi kanë edhe qytetet tjera të Maqedonisë së Veriut si Tetova, Gostivari, Kumanova, Kërçova, Manastiri dhe Strumica. Maqedonia e Veriut radhitet në vendin e dytë për nivelin e ndotjes në Europë, pas Bosnjë e Hercegovinës. Vendet më të ndotura në Europë, sipas grimcave të dëmshme të pranishme në ajër në mjediset urbane, janë Bosnja e Hercegovina (55.1), Maqedonia e Veriut (42.7), Bullgaria (30.3), Polonia (25.4), Mali i Zi (24.3), Hungaria (22.7), Serbia (21.4). Vendet më pak të ndotura, kryesisht janë vendet skandinave si Suedia, Finlanda, Norvegjia, Estonia dhe Islanda. (koha.mk)