Nissan Qashqai vjen në edicion të ri (FOTO)

Në fabrikën e Nissanit në Sanderlend ka nisur prodhimi i modelit të ristilizuar Qashqai, premiera e të cilit ishte në panairin e automobilave në Gjenevë, në fillim të marsit. Modeli i Nissanit, i cili ishte më i shituri në Evropë, ruan titullin e crossoverit më të kërkuar në kontinentin e vjetër. Ai është avancuar në mënyrë që të ruajë statusin aktual te blerësit evropianë.

Pjesa e parme e automjetit është ristilizuar në tërësi. Është ndryshuar në tërësi forma e dritave dhe maska e ftohësit, e cila është rritur dukshëm. Njëra nga inovacionet në Qashqai e ri është vendosja e teknologjisë ProPilot për vozitje gjysmautonome. Duke iu falënderuar autopilotit, Nissan crosoover është në gjendje të shpejtohet dhe të ngadalësohet, si dhe të përcjellë korsinë e rrugës, të bëjë korrigjime të drejtimit të lëvizjes në korsi pa ndihmën e vozitësit, transmeton KosovaPress.

Automobili është i pajisur edhe me sisteme aktive të sigurisë, si teknologjia e frenimit automatik në raste të rrezikut. Ky sistem tash përfshin edhe teknologjinë e njohjes së këmbësorëve në rrugë. Qashqai 2018 ofron sistemin e paralajmërimit të lëvizjes së automjeteve tjera Rear Cross Traffic Alert, gjë e cila është e dobishme me rastin e parkimit nga mbrapa. Aty është edhe teknologjia për njohjen e shenjave të komunikacionit, sistemi për detektimin e lodhjes dhe humbjes së përqendrimit te vozitësi, ndihma Intelligent Park Assist me rastin e parkimit, sistemi për zbulimin e automjeteve tjera në këndin e vdekur, paralajmërimi ndaj daljes së padëshiruar nga rruga dhe të ngjashme.

Paleta e motorit ka mbetur e pandryshuar, ndërsa Nissan veçanërisht ndan 1.5 litra dCi me 110 kuaj fuqi dhe emision të CO2 prej 99 g/km. Motorët tjerë janë 1.6 dCi me 130 kuaj fuqi, në variantet me ndërrues manual prej gjashtë shpejtësive dhe ndërrues shpejtësie CVT, si dhe opsionin 4×4, variantin benzinë 1.2 me 115 kuaj fuqi me të njëjtin kombinim sikur te dizeli dhe 1.6 me 163 kuaj fuqi, i pranishëm vetëm në modelet me ndërrues manual prej gjashtë shpejtësive. Modelet benzinë janë në dispozicion kryesisht me motor të vendosur në pjesën e përparme. Nissan në fabrikën në Angli ka investuar 53 milionë funta për përgatitjen e prodhimit të Qashqai të ristilizuar.

Përveç kësaj, është rritur edhe kapaciteti i fabrikës.  Nissan në fabrikën e ve në Sanderlend ka prodhuar mbi 2,8 milionë automjete crossover. Prodhuesi japonez po në këtë fabrikë prodhon edhe modelet Leaf, Juke, si dhe  Infinity Q30 dhe QX30, ndërsa në vitin 2016 ka prodhuar gjithsej 507.436 automobila.