Shkup, 18 janar – Këshilli Gjyqësor- Buxhetor në pajtim me ligjin ka qenë i obliguar të kryejë pagesë të shtesave të pagave të gjykatësve edhe për muajt e prapambetur prej kur kanë hyrë në fuqi aktet dhe nga këto arsye gjykatësit të drejtat e tyre për muajt e prapambetur mund t’i realizojnë përmes parashtrimit të padive. Kjo është një ndër konkluzionet të sjella nga Grupi i punës që ishin mbështetur në seancën e Këshillit Drejtues së Shoqatës së Gjykatësve të RM-së.
Këshilli Drejtues i Shoqatës së Gjykatësve të Republikës së Maqedonisë e ka obliguar grupin e punës të hartojë nismë deri te Gjykata Kushtetuese e RM-së për dispozitat e Ligjit për paga të gjykatësve, si dhe të hartojë propozim ndryshime ligjore të Ligjit për paga të gjykatësve.
Grupi i punës është formuar me qëllim të shqyrtimit të rregullativës juridike që ka të bëjë me pagesën e pagave të gjykatësve dhe shtesave të tjera të parapara me Ligj, të formuar me konkluzion të Kuvendit të Shoqatës së Gjykatësve të RM-së nga 25 tetori i vitit 2018.
Në seancë janë shqyrtuar edhe çështje që kanë të bëjnë në procesin reformues të sistemit gjyqësor, si dhe çështje nga fusha e funksionimit të Trupit këshilldhënës për etikë gjyqësore dhe Kodit të gjykatësve, theksohet në kumtesën e sotme të SHGJRM-së.