Nisin zjarret në Pollog, apelohet për kujdes

Nga ana e njësisë së zjarrfikësve apelojnë deri tek qytetarët që të jenë më të kujdesshëm sepse shpesh herë duhet që të intervenohet edhe nëpër vende jo të përshtatshme

Urim HASIPI

Tetovë, 22 qershor – Rritja e temperaturave në masë të madhe ka shtuar rrezikun për zjarre në rajonin e Pollogut, ku ditëve të fundit është hasur edhe frekuentim më i madh i qytetarëve nëpër pyje dhe pronat bujqësore. Me këtë rast, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, sërish apelon deri tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm kur punojnë qoftë në pyje qoftë në tokat bujqësore, që të mos ndezin mbeturinat e ndryshme. Poashtu, qytetarëve u rekomandohet që të përmbahen nga ndezja e zjarreve në vende për rekreim dhe pyje, sepse shumë shpejt zjarri mund të përhapet dhe pastaj mos mund të kontrollohet. Poashtu, qytetarëve u rekomandohet që të mos lënë shishe apo sende tjera të cilët nëse qëndrojnë gjatë kohë në diel mund të shkaktojnë zjarr.

Advertisements

Nga Njësia e zjarrfikësve njoftojnë se deri më tani 90 zjarre janë regjistruar në vende të hapura, ndërsa apelojnë deri tek policia dhe inspektorati që të bëjnë më shumë kontrolle. “Kemi rritje të zjarreve në vende të hapura, ku deri më tani kemi 90 intervenime. Ne çdo herë bëjmë apele për parandalimin e zjarreve, sepse përbëjnë rrezik për qytetarët. U bëj apel që të kenë kujdes dhe mos ndezin zjarreve, I bëj thirrje policisë dhe inspektoratit që të bëjnë më shumë kontrolle në ato pika ku ka më shumë qytetarë gjatë vikendeve”, thotë Avni Ameti, zëvendës komandant i njësisë së zjarrfikësve në Tetovë.

Nga ana e njësisë së zjarrfikësve apelojnë deri tek qytetarët që të jenë më të kujdesshëm sepse shpesh herë duhet që të intervenohet edhe nëpër vende jo të përshtatshme. “Ne kishim një zjarr i përmasave më të mëdha, ishte ndezur zjarr në tetë vende të ndryshme në fshatin Cerovë, ishte i qëllimshëm, ne kemi makineri, por shpesh herë në vise malore ku qasja me automjete është e vështirë detyrohemi që të lëvizim edhe në këmbë, prandaj ka edhe vonesa gjatë intervenimeve”, tha Ameti. Nëse qytetarët nuk u përmbahen këtyre apeleve dhe rekomandimeve do të përballen me sanksione ligjore, të cilët sillen nga gjashtë muaj deri në 8 vite burg varësisht nga lloji i zjarrit dhe pasojat. Nga ana e policisë, njoftojnë se edhe këtë muaj në masë të madhe do të ndërmarrë masa preventive në këtë drejtim ndërsa poashtu do të organizojë edhe takime me bujqit që të jenë më të kujdesshëm dhe mos ndezin zjarre. (koha.mk)