Nisin xhirimet për pjesën e veçantë të “Game of Thrones”

7

Pjesa e veçantë e serialit “Game of Thrones” – “House of the Dragon” – besohet se ka filluar së xhiruari në Cornwall të Mbretërisë së Bashkuar.

Producenti i HBO-së ka konfirmuar këtë javë se produksioni i ri filmik ishte në përgatitje e sipër, pasi që ka pasur edhe seanca fotografike, në kuadër të së cilës kasta e aktorëve shihet duke i lexuar skenarët.

Janë publikuar gjithashtu fotografitë e ekipit dhe aktorëve, disa prej të cilëve janë yjet Matt Smith dhe Emma D’Arcy, në Holywell Bay afër Newquay.

Pjesa e re e veçantë e serisë është vendosur që ta portretizojë periudhën 300 vjet para ngjarjeve të “Game Of Thrones” dhe do ta rrëfejë historinë e familjes Targaryen.

Ky projekt është bazuar në romanin “Fire & Blood” të autorit George RR Martin, të botuar në vitin 2018. Publikimi do të bëhet në vitin 2022, në shërbimin e transmetuesit HBO Max në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky shërbim ka njoftuar për fillimin e këtij projekti, duke ndarë fotografi nga tryeza e leximit të skenarëve, ku shihet duke u zbatuar masa e distancës sociale.

Në fotografi shfaqet ekipi, përfshirë Paddy Considinen, e cila shihet duke e lexuar skenarin, ulur në tavolina të ndara për ta mbajtur distancën sociale, si një ndër masat kyç ndaj pandemisë së koronavirusit. Steve Toussaint dhe Olivia Cooke shiheshin po ashtu të ulur në tavolinën e leximit.

Smith, i njohur për rolin e tij kryesor në “Doctor Who” dhe portretizimin e tij të rolit të Dukës së ndjerë të Edinburgut në serinë “The Crown”, do ta luajë rolin e princit Daemon Targaryen.

Javën e kaluar, ekipi dhe sheshxhirimet në stilin mesjetar që besohej se ishin pjesë e produksionit ishin vërejtur në ishullin St Michael’s Mount, afër Penzance.

“Game of Thrones” ka qenë fenomen kulturor gjatë tetë sezoneve sa është shfaqur që nga viti 2011 deri më 2019. Pjesa më e madhe e serialeve janë xhiruar kryesisht në Irlandën Veriore.

“House of the Dragon” është një prej shumë projekteve televizive të “Game of Thrones”, realizuar nga HBO-ja.