Për herë të parë në histori, në Ligën e Kampionëve do të ketë sistemin ‘VAR’ duke nisur që nga ndeshjet e javës së ardhshme. Kjo risi, pritet me kuriozitet nga të gjithë tifozët e futbollit, për të parë se si do të funksionojë në një turne të tillë, megjithëse janë mësuar në Botëror apo edhe në kampionate të tjera të Europës.
Kur të gjithë kanë pranuar se ‘VAR’ po shpëton futbollin, në Ligën e Kampionëve ka edhe të pakënaqur. Bëhet fjalë për tifozët të cilët do të paguajnë biletë për të ndjekur në stadium skuadrën e tyre të zemrës. Ndryshe nga Botërori kur rastet e diskutueshme mund të shiheshin edhe nga tifozët, në Ligën e Kampionëve nuk do të mundësohet rishikimi i rasteve.
Në këtë mënyrë, tifozët të cilët kanë paguar për të parë ndeshjen nga afër, do të duhet të hapin celularët e tyre për të parë rastin dhe për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Në rastin më të keq, do t’iu duhet t’ua shpjegojë dikush që e ka ndjekur nga TV, pa bërë asnjë shpenzim. Ky shqetësim i tifozëve tashmë është bërë edhe kërkesë në UEFA që të mundësohet publikimi i këtyre rasteve në ekranet e stadiumit.