Shkup, 20 nëntor – Sekretariati për çështje evropiane në emër të Parlamentit dhe Qeverisë së Maqedonisë, është caktuar të jetë organizatori i manifestimit jubilar të 110-vjetorit nga Kongresi i Alfabetit shqip në Manastir. “Manifestimi jubilar 110 vite nga Kongresi i Manastirit ka rëndësi të veçantë në kontekstin bashkëkohor politik, pasi shqiptarët e këtij rajoni janë para momenteve të rëndësishme për të siguruar orientimin e tyre perëndimor”, deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, me rastin e shpalosjes së aktiviteteve, të cilat do ta shoqërojnë shënimin e kësaj date në Maqedoni.
Osmani u shpreh se 110 vjetori nga unifikimi i Alfabetit të gjuhës shqipe, sivjet do të shënohet me moton “Për ne, dielli lind në perëndim”, mendim i parafrazuar i Naim Frashërit, që flet për përcaktimin thelbësor të shqiptarëve drejt vlerave të civilizimit perëndimor, për të shtuar se kjo korrespondon edhe me përcaktimin e sotëm të vendit drejt ardhmërisë evropiane dhe atlantike.
“Qeveria dhe Parlamenti i Maqedonisë e obliguan Sekretariatin për çështje evropiane t’i organizojë ngjarjet që kanë të bëjnë me shënimin e këtij jubileu. Për ditën e Alfabetit shqip, 110 vjetori nga Kongresi i Manastirit, kemi organizuar më shumë ngjarje në Shkup dhe në Manastir, të cilat do të kurorëzohen me koncertin e gjigantit të violinës, Shkëlzen Doli me Filarmoninë e Maqedonisë dhe dirigjimin e Mihail Micijashçik nga Polonia që do të mbahet të enjten në Filarmoninë e Shkupit”, tha Osmani, duke shtuar se do të mbahen edhe ngjarje tjera në Shkup dhe Manastir, konferenca dhe debate shkencore, si dhe promovime librash.
Drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), Skender Asani, informoi se 22 Nëntori është e dita e themelimit të Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe në aktivitetet që do të mbahen me rastin e Ditës ë Alfabetit Shqip, do të përfshihen personalitete nga të gjitha institucionet shtetërore dhe akademike mbarë shqiptare.
“Aktivitetet do të fillojnë nesër në Institut me ligjëratën e David Hoselflog, i cili ka zbuluar himnin e notave të Alfabetit të gjuhës shqipe që do të jetë një prurje e jashtëzakonshme, një lajm i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, meqë pas 110 vitesh, po zbulohen notat e Alfabetit”, tha Asani. I pranishëm në konferencën për mediat ishte edhe violinisti Shkëlzen Doli, i cili premtoi një performancë e cila do të kënaqë publikun, sepse siç tha ai, do të ekzekutohen kompozime të autorëve më të famshëm botërorë. Lidhur me shënimin e Ditës së Alfabetit, është vendosur në funksion faqja elektronike www.110vjetalfabet.mk ku do të vendosen të gjitha faktet historike për unifikimin e alfabetit, por edhe përmbajtje tjera nga letërsia shqipe. (Z.V)