Muslimanët në Kinë, që përbëhen nga shumë grupe etnike, do të takohen në iftaret kolektivë që do të organizohen nëpër xhamitë anembanë vendit, shkruan Anadolu Agency (AA). Muslimanët e Kinës, të cilët më 26 maj do ta falin namazin e parë të teravisë, janë në përgatitje për muajin e Ramazanit. Në kryeqytetin e vendit, Pekin, muslimanët përpiqen që sa më shumë ta kalojnë së bashku muajin e Ramazanit, në të cilin rritet kultura e vëllazërisë dhe solidarizimit dhe në të cilin muslimanët mblidhen së bashku. Ali Çang, kryetari i Shoqatës së Xhamisë Niuxhie në Pekin, xhamia më e vjetër dhe më e madhe në Pekin, për AA tha se në Niuxhie janë bërë organizimet e fundit për muajin e Ramazanit dhe se janë në përpjekje për t’i përfunduar punimet e riparimit. Ai shtoi se do të formohen grupe nga xhemati i xhamisë dhe vullnetarë, të cilat do t’i bëjnë përgatitjet për sofrat e iftarit. Çang tha se të gjithë muslimanët do të bëjnë iftar së bashku në oborrin e xhamisë dhe, siç theksoi, në këtë mënyrë do të përfitojnë nga begatitë shpirtërore të muajit të Ramazanit. Muslimanët e Kinës përpiqen të jenë së bashku veçanërisht gjatë festave fetare. Iftaret anembanë vendit dhe aktivitetet e ndryshme bëhen në xhami në mënyrë solidarizuese. Muslimanët e Kinës do të fillojnë me ndërprerjen e ngrënies rreth orës 03:00 dhe do të bëjnë iftar rreth orës 20:00, qo do të thotë se do të agjërojnë për afërsisht 17 orë. Xhamia Niuxhie, si shumë xhami në qytet, ofron shërbime edhe si kompleks, me hapësirat për aktivitete sociale dhe me faltoren e grave. Jakub Ma nga xhemati i xhamisë, thotë se gjatë Ramazanit, muslimanët në tërë vendin kalojnë më shumë kohë së bashku dhe në këtë mënyrë i forcojnë lidhjet mes vete.