Laura PAPRANIKU
Shkup, 16 tetor – Në përvjetorin e parë të funksionimit të tij, Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup ka vendosur të hap siparin e Ditëve të UNT- së, të shoqëruara me aktivitete të shumta shkencore, kulturore, artistike dhe sportive, shkruan gazeta KOHA. Ajo që bie në sy është synimi i UNT-së për t’u dhënë karakterin tradicional, sidomos konferencave ndërkombëtare shkencore si dhe botimin e një reviste periodike, e cila thuhet se do të del nga dy herë në vit. Revista, që sipas rektorit Aziz Pollozhani, tanimë është e indeksuar me faktorin e impaktit nga EPSCO, do të ketë edicionin e parë të saj jo më larg se dhjetori i këtij viti, ndërsa publikimet e para të kësaj reviste do të jenë kumtesat e dy konferencave shkencore, të cilat do të organizohen në kuadër të “Ditëve të UNT-së”.
Konferenca e parë ndërkombëtare me temën “Migrimi në Maqedoni: Historia, demografia dhe marrëdhëniet ndëretnike”, sikurse bën të ditur prof. dr. Rizvan Sulejmani, do të tubojë në një vend studiues të vendeve të ndryshme për të trajtuar fenomenin, historikun, pasojat dhe anët pozitive të migrimit. Kjo konferencë organizohet në bashkëpunim me Universitetin “Fehmi Agani” të Gjakovës dhe, sikurse parashikohet me ligj, ka kaluar paraprakisht fazën e thirrjes publike, që më pas një komision ndërkombëtar t’ju jep “vizën” 16 kumtesave të cilat do të prezantohen gjatë dy ditëve të konferencës (16 dhe 17 tetor) të ndarë në katër panele diskutimi. Sujemani thotë se gjatë ditëve të kësaj konference do të referojnë emra si prof.dr. Robet Pishler nga Universiteti i Vjenës, apo prof. dr. Anton Pançev nga Universiteti i Bullgarisë, por dhe studiues eminentë nga Gjermania, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Një moment i rëndësishëm i këtij aktiviteti do të jetë promovimi i librit “Migrimet e detyrueshme në kohë të paqes – Politikat migruese jugosllave dhe emigrimi i muslimanëve drejt Turqisë (1918-1966)” nga autori Edvin Pezos. Pezos është profesor në universitetin e Regensburgut në Gjermani dhe njihet për tezat e guximshme shkencore me të cilat demaskon politikat hegjemoniste të shteteve të Evropës Juglindore ku bën pjesë edhe ish-Jugosllavia. Libri nuk është përkthyer ende në gjuhën shqipe apo maqedonase, prandaj profesorë të cilët e njohin gjuhën gjermane janë angazhuar që paraprakisht të bëjnë një abstrakt të zgjeruar të librit me qëllim të debatimit rreth përmbajtjeve që ka libri i profesor Pezos dhe që do t’ju vihet në dispozicion të pranishëmve në punimet e konferencës.
“Konsiderojmë se është një libër me interes të veçantë për studiuesit e sociologjisë dhe historisë, por që mund të shërbejë edhe si pikë referimi në studimet e migrimit”, pohon për KOHA, Sulejmani, dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale të UNT-së.
Konferenca e dytë shkencore, e cila do të zhvillohet në datën 28 tetor me temën “Drejt zhvillimit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor: qasjet, mangësitë dhe sfidat”, sikurse thotë prof. dr. Bekim Fetai, do të zhvillojë punimet në katër tematika të ndryshme: ekonomik, ekologji dhe planifikim hapësinor, edukim dhe shkencë, si dhe shkencat e teknologjisë informatike dhe informimit. “Do të jetë një froum i gjerë shkencor ku janë ftuar emra eminentë, si profesor Kallnan Nizei nga Universiteti i Budapestit, Françesko Altimarin nga Universiteti i Kozencës në Itali dhe shumë të tjerë, të cilët do të prezantojnë idetë dhe do të diskutojnë arritjet kryesore rreth zhvillimeve të qëndrueshme, me fokus kryesor Ballkanin Perëndimor”, tregon Fetai. Sipas tij, kjo konferencë vjen edhe në drejtim të avancimit të ideve që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm në rajon në vijë të definimit adekuat të Komisionerit Brundlandit. Në rekomandimet e Brundlandit, mes tjerash theksohet se “Zhvillimi i qëndrueshëm është zhvillimi që adreson nevojat e të tashmes pa kompromentuar aftësinë e gjeneratave të ardhshme në adresimin e nevojave të tyre”. Për këtë konferencë janë paraqitur 75 kumtesa. Profesor Fetati, bën të ditur gjithashtu se UNT ka tanimë gati edhe vebfaqen e konferencave shkencore të UNT-së (conferec.edu.mk), ku do të gjenden informacionet e të gjitha konferencave që do të organizohen nga ky universitet tani e tutje.
Në kuadër të Ditëve të UNT-së do të organizohet edhe turne futbolli, në datën 21 tetor, do promovohet libri “Nënë Tereza në filatelinë botërore”, të autorit prof.dr. Mustafa Ibrahimi dhe do të hapet Galeria “Omer Kaleshi” në datën me 26 tetor. Ndërkaq, në mbrëmjen e 27 tetorit, datë kjo e cila shënon edhe ditën e fillimit me punë të UNT-së, do të organizohet Akademi solemne e shoqëruar me koncert në të cilin do të performojnë Orkestra Trio e Prishtinës dhe Orkestra e të rinjve të Tetovës nën dirigjimin e Agona Çupit. Një pjesë e aktiviteteve të Ditëve të UNT-së financohet nga EVN-ja.
Në vitin e dytë të ekzistimit, UNT nuk ka ende objekte te vetin dhe për këtë i organizon studimet në objektet e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë dhe të Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit” ky gjendet përkohësisht. Në pesë fakultete dhe 24 programe studimore ka gjithsej 750 studentë. Për vitin akademik 2017/2018 u regjistruan 508 studentë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.