Presidenti në largim i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, deklaron se nuk do të votojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nëse opozita nuk do të marrë pjesë.
“Unë, përpara se të jem President i Republikës, jam qytetar. Si qytetar, kam parimet e mia, kam bindjet e mia, kam gjykimet e mia dhe një nga parimet kryesore janë ato që lidhen me lirinë. Jetësore në një sistem politik janë zgjedhjet, është liria. Votimet janë procedura, përmbajtja janë zgjedhjet. Në momentin që unë nuk kam alternativë për të zgjedhur, unë nuk mund të bëhem pjesë e një procesi normal procedure votimi”, deklaroi Nishani.
Sipas tij, nëse opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, nuk do të ketë një alternativë me të cilën shqiptarët të përzgjedhin mes tyre.
“Nëse ka zgjedhje vetëm me shumicën aktuale pa pjesëmarrjen edhe të opozitës, institucionet të cilat do të dalin nga këto zgjedhje, nuk kanë legjitimitet kushtetues”, vlerësoi Nishani.
Në lidhje me akuzat e kryeministrit Edi Rama se ishte “president i njëanshëm” Nishani u përgjigj se kjo ka qenë dhe do të mbetet retorikë e Ramës.
Nëse kryetari i qeverisë dhe kushdo që e përcjell këtë akuzë politike që Presidenti ka qenë i njëanshëm, duhet të japë një fakt, jo dy. Nëse japin vetëm një fakt dhe një rast kur Presidenti i ka shërbyer opozitës, unë kërkoj falje publike.