Shqipëria as nuk ka ndërhyrë dhe as nuk ndërhynë në zhvillimet e brendshme politike të ndonjë një vendi, përfshirë edhe Maqedoninë. Kështu i është kundërpërgjigjur presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, akuzave të presidentit Gjorge Ivanov, se Shqipëria ka ndërhyrë në çështje të brendshme të Maqedonisë me përpilimin e Platformës së partive shqiptare, raporton gazeta KOHA. “Shqipëria është e interesuar, ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë për stabilitetin e Maqedonisë, për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve fqinjësore me Maqedoninë. Ka një dimension akoma më të rëndësishëm në këtë angazhim të Shqipërisë për faktin se shqiptarët janë një faktor shtetformues në Maqedoni dhe pa dyshim në këtë kontekst, jo vetëm si faktor shtetformues, por edhe si përcaktim dhe detyrim kushtetues në Republikën e Shqipërisë, Shqipëria është e ngarkuar me përgjegjësi kushtetuese për të mbështetur edhe për të qenë e interesuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë”, ka deklaruar mes tjerash presidenti Bujar Nishani në një intervistë për televizionin ABC Neës. Deklaratat e fundit të disa prej autoriteteve politike në Maqedoni, për fatin e keq janë deklarata të cilat nxisin në mënyrë artificiale ndasitë dhe urrejtjen ndëretnike, çka është në radhë të parë shumë e dëmshme për vetë Maqedoninë, është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe është e dëmshme për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë, ka theksuar më tej Nishani. “Ne kemi mbështetur dhe është detyrë kushtetuese të mbështetet e faktorit politik shqiptar për të pasur një mekanizëm siç është Platforma që partitë shqiptare kanë arritur me vullnetin e tyre politik, angazhimin e tyre strukturor si një mekanizëm që do t’u garantojë shqiptarëve zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje e dakordësuar nga të gjitha palët në Maqedoni, maqedonas dhe shqiptarë, e dakordësuar dhe e garantuar nga komuniteti ndërkombëtar. Për fatin e keq në të gjitha vitet që pasuan nuk është konstatuar një zbatim i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. Ndaj, unë gjykoj se faktori politik shqiptar në Maqedoni ka gjetur mekanizmin më të mirë për të garantuar përmes kësaj platforme zbatimin e plotë në frymë e në gërmë të Marrëveshjes së Ohrit. Çdo tentativë për të artikuluar përmes deklaratave që nxisin, e theksoj edhe një herë, në mënyrë artificiale urrejtjen ndëretnike në Maqedoni, dukshëm i adresohet transferimit të konkurrencës dhe konfliktit politik të brendshëm partiak në Maqedoni, në fushën e përplasjeve ndëretnike. Unë mendoj se është e gabuar, është e gabuar kudo që ajo të ndodhë, që konkurrenca, beteja, lufta për pushtet politik në jetën e brendshme të transferohet në konflikte të tjera, qofshin ato me nuanca ndëretnike apo me nuanca të tjera, aq më keq edhe ndërfqinjësore. Ne duhet të kuptojmë diçka që asnjë politikan nuk është i përjetshëm në karrigen e pushtetit ku është ulur”, ka deklaruar mes tjerash presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. gjithashtu që qytetarët e Maqedonisë, shqiptarë dhe maqedonas, nuk do të fokusohen dhe nuk do të adresojnë të ardhmen e tyre tek ambiciet dhe egot politike të individëve të caktuar, të cilët mund ta konsiderojnë të përjetshëm pushtetin, por do ta adresojnë angazhimin, kontributin dhe orientimin e tyre tek e ardhmja e Maqedonisë në tërësi si shtet i tyre i përbashkët, tek bashkëjetesa e tyre dhe tek kapërcimi i sfidave që vijnë për Maqedoninë si shtet, ashtu siç vijnë dhe për Shqipërinë sfida të ndryshme që shqiptarët në Shqipëri janë të angazhuar për t’i përcjellë dhe për t’i përballur në mënyrën më të mirë efikase të mundshme. (koha.mk)