Tiranë, 16 qershor – Degradimi i një ekuilibri në mes funksioneve të institucioneve që veprojnë në Shqipëri, shtetin shqiptar e ka çuar drejt një krize të madhe institucionale, politike dhe ekonomike, të cilën asnjëherë nuk e ka pasur deri tash. Ndërsa, çdo nënvlerësim i përgjegjësisë mund të sjellë situata të rrezikshme, deklaroi ish-presidenti shqiptar, Bujar Nishani, duke e vlerësuar situatën aktuale në vend dhe keqkuptimet midis shefit të shtetit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama lidhur me zgjedhjet lokale.
Nishani shton se Shqipëria sot ka institucionet më të dobëta që kishte ndonjëherë, pasi që krimi i organizuar dhe korrupsioni janë bërë pjesë e politikës, transmeton KOHA.
“Tejkalimi i kësaj situate të krijuar në shtetin shqiptar duhet marrë me seriozitet, pasi çdo neglizhencë mund të sjellë një përplasje mes qytetarëve dhe politikës”, vlerëson Nishani.
Sipas tij, integrimi i Shqipërisë në Bashkimi Evropian është bllokuar. Ndërkohë, fajtor kryesor për këtë e bënë politikën aktuale të Shqipërisë të udhëhequr nga Edi Rama.
Nishani ka shtuar se kjo klasë politike është duke e rrezikuar edhe lëvizjen e lirë të popullit shqiptar.
Bujar Nishani ishte president i Shqipërisë në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2017, ndërsa në këtë funksion erdhi nga pozita Ministër i Punëve të Brendshme.(koha.mk)