Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani mbrëmjen e djeshme në emisionin “Debat”, të gazetarit Roland Qafoku, ka folur pas kaq kohësh për akuzat e bëra nga trajneri i kombëtares shqiptare, Christian Panucci. Tekniku italian ka kërkuar dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh për dëm moral nga Nishani. Konfilikti mes dy palëve erdhi pasi Nishani e quajti “sharlatan” në një status në “Facebook”, teknikun italian pas humbjes që Shqipëria pësoi në miqësoren ndaj Kosovës.
“Unë po pres të njihem me padinë sepse nuk e kam marrë ende. Jam njohur me këtë çështje vetëm nga mediat. Patjetër që unë do të respektoj procesin dhe ligjet e shtetit tim dhe të vendit tim, do ta ndjek me seriozitet në gjykatë procesin. Do marr avokat. Nëse flasim për edukatë apo shpërthime emocionale, nëse do klikonit në internet dhe do shikonit fjalorin që përdor zotëria, është një fjalor që shokon çdo familje dhe çdo fëmijë”- u shpreh Nishani .
I pyetur nëse ndihet i penduar që ka përdorur atë fjalë kundrejt trajnerit të përfaqësueses sonë ai tha: Absolutisht jo. Kam shprehur një opinionin tim, dhe nuk kam pasur për synim ta fyej personalisht.