Shkup, 6 qershor – Qeveria e Maqedonisë në seancën e mbajtur ditën e martë, ka filluar procedurën për shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zvërlevski, shkruan gazeta KOHA. Ditë më parë, kryeministri Zoran Zaev, publikisht dy herë radhazi i ka bërë ftesë prokurorit Zvërlevski që vetë duhet të japë dorëheqje për të përshpejtuar procedurat. Megjithatë deri më tani ky i fundit ende nuk ka reaguar. Sipas procedurave ligjore, Qeveria pas marrjes së vlerësimit profesional nga Këshilli i Prokurorëve Publik, deri te Parlamenti i Maqedonisë duhet të dorëzojë propozim për shkarkimin e Prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë. Prokurori mund të shkarkohet nga funksioni përpara skadimit të mandatit për arsye të paligjshmërisë, nëse nuk e kryen punën në mënyrë efikase dhe profesionale, nëse me sjelljet dhe veprimin e tij tregon se nuk është i gatshëm për kryerjen e atij funksioni, nëse nuk dorëzon kërkesë për ngritjen e procedurës penale në raste të parapara me ligj dhe për shkak të shëmtimit të reputacionit të funksionit. Këshilli është i obliguar që në afat prej 15 ditëve, t’i përgjigjet Qeverisë me mendim pozitiv ose negativ. Deri më tani nuk ka informata se me çfarë arsyetimi Qeveria do të kërkojë nga Këshilli mendim për shkarkimin e Zvërlevskit. Ndryshe, Zvërlesvski akuzohet për politizimin e gjyqësorit pasi gjatë drejtimit të tij me Prokurorinë publike shumë vendime gjyqësore konsiderohen politikisht të motivuara. (koha.mk)