Dominimin e drurit si energjens kryesor për ngrohje e dëshmojnë edhe të dhënat zyrtare, sipas të cilave, nga numri i përgjithshëm i amvisërive në Maqedoni, afër 62 për qind e përdorin drurin si energjens kryesor për ngrohje, 28 për qind ngrohen me rrymë, 8 për qind nga ngrohtoret, ndërsa 2 për qind me lloje tjera të energjensave
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 shtator – Me uljen e temperaturave në Maqedoni kanë filluar edhe përgatitjet për sezonin e dimrit. Andaj, edhe banorët po bëjnë përllogaritjet se cila mënyrë e ngrohjes dhe me cilin energjens do t’ju shpaguhet më shumë. Në parim, druri mbetet alternativa kryesore për ngrohje e banorëve të Maqedonisë në vendbanimet rurale, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, energjia elektrike, përkundër çmimit që rëndon xhepat e qytetarëve, megjithatë mbetet opsioni kryesor i banorëve të vendbanimeve urbane. Megjithatë, edhe këtu ka përjashtime për shkak se në më shumë qytete të vogla, në mbarë vendin, por edhe në fshatra, të gjithë ata që jetojnë në shtëpi private në një pjesë të madhe orientohen në ngrohjen me dru, ndërsa rrymën e përdorin për ngrohje shtesë.
Dominimin e drurit si energjens kryesor për ngrohje e dëshmojnë edhe të dhënat zyrtare statistikore, sipas të cilave, nga numri i përgjithshëm i amvisërive në Maqedoni, afër 62 për qind harxhojnë dru si energjens kryesor për ngrohje, afër 28 për qind përdorin energjinë elektrike, rreth 8 për qind energjinë e ngrohjes nga ngrohtoret dhe afër 2 për qind i përdorin llojet e tjera të energjenseve.
Ekspertët e energjetikës thonë se kostoja e ngrohjes së amvisërive varet edhe prej ngrohjes gjithë-ditore apo vetëm pas orarit të punës, jetesës në fshat apo qytet, ngrohjes së një apo më shumë dhomave, përdorimit më të madh apo më të vogël të izolimit, si dhe faktit se sa një sezon dimri do të përshkohet me periudha kohore më të gjata apo më të shkurtra të temperaturave të ulëta apo më të larta se zero.
“Llogaria mujore e ngrohje në një pjesë të madhe varet nga izolimi i objekteve të banimit. Njëherazi, vendosja e izolimit dhe ndërrimi i dritareve nuk është edhe e lirë dhe kërkon një investim jo të vogël, por megjithatë shpaguhet për shtatë deri tetë vite”, thotë profesori universitar Risto Ciconkov. Në ndërkohë, statistika zyrtare tregon se hapësirat banuese në Maqedoni ngrohen gjashtë muaj e gjysmë, me një temperaturë mesatare prej 21.7 gradë celsius përgjatë periudhës së dimrit.
Nga ana tjetër, përllogaritjet tregojnë se një amvisëri në Maqedoni në mesatare harxhon prej 6 deri 10 metra dru që kushton afërsisht 50-60 euro m2, apo me fjalë tjera – për ngrohje harxhohen prej 300 deri 500 euro.
Rryma, edhe pse energjens i shtrenjtë për xhepin e amvisërive në vend, megjithatë mbetet preferenca e njerëzve sidomos në ambientet urbane me ndërtesa shumëkatëshe, ku nuk ekziston mundësia për ngrohje me dru. Njëherazi, rryma paraqet një energjens që ofron komoditet, nuk ka pastrim të koftorit apo oxhaqeve dhe as kërkon magazinë për ruajtjen e drurit. Vitet e fundit edhe në Maqedoni përdoren me të madhe llojet e reja të ngrohjes si kondicioneri, aparatet me inverter që kanë koeficient më të lartë të shfrytëzimit të energjisë.
Në varësi prej cilësisë së aparateve të tilla, ato së paku përgjysmojnë çmimin e energjisë së harxhuar. Çmimet e modeleve të ndryshme në treg lëvizin prej 20 mijë deri më 50 mijë denarë. Përparësi e madhe ngrohjes me klimë inverter është dobia se, për një kilovat rrymë të harxhuar, fitohen 2-4 kilovat energji të ngrohjes për dallim prej aparateve të tjera për ngrohje që prodhojnë energji aq sa harxhojnë rrymë. Konsumi i rrymës për ngrohje përgjatë dimrit varet nga llojet e trupave për ngrohje, ngrohjes së një apo më shumë dhomave, kohëzgjatjes së ngrohjes përgjatë një dite, intensitetit të ngrohjes, andaj edhe amvisëritë harxhojnë në mesatare për ngrohje me energji elektrike prej 3000-4000 denarë deri më 8000 deri më 10 mijë denarë.
Ngrohja qendrore që në Maqedoni është kryesisht në përdorim në Shkup, ndërsa vitet e fundit shënon rënie të popullaritet për shkak të problemeve të ndryshme, si dhe pagesës përgjatë të gjithë 12 muajve.
Ndryshe, njohësit e energjetikës në shtet presin që pas përfundimit të gazifikimit në Maqedoni, qytetarët do të mund të zgjedhin ndërmjet më shumë llojeve të ngrohjes si gazi, druri, thëngjilli e kështu me radhë. Pra gazi natyror pritet të ndikojë në rritjen e konkurrencës në sektorin e energjetikës dhe garën për konsumatorë me çmime konkurruese. (koha.mk)