Nis së shpejti restaurimi i Muzeut Etnografik në Krujë

Muzeu Etnografik i Krujës është një tjetër sit i trashëgimisë kulturore, i cili do të restaurohet nga programi i Bashkimit Evropian #EU4Culture.

Sipas #EU4Culture, punimet për restaurimin e muzeut do të nisin së shpejti dhe do të përfshijnë ndriçimin, survejimin, mbrojtje nga zjarri, etj.

“Ekspozimi aktual i artefakteve do të përmirësohet në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kuratorin dhe drejtorin e Muzeut. Dyshemeja, çatia, tavani, të gjitha dyert dhe dritaret do të riparohen aty ku është e nevojshme”, thekson #EU4Culture.

Advertisements

Pjesë e punimeve restauruese do të jetë edhe pastrimi e forcimi i mobilieve dhe pikturat murale të shekullit të XVIII.

Ky muze e ka zanafillën e krijimit të tij që 20 nëntor të vitit 1989 dhe ndodhet në një objekt të ndërtuar në vitin e largët 1764 që është ish-shtëpia e Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” . Ky objekt është klasifikuar si objekt i Trashëgimisë Kulturore dhe monument kulture i kategorisë së I.

Objektet të cilët janë vendosur në këtë muze përveçse përfaqësojnë periudha të ndryshme të historisë së vendit, pjesa më e madhe e tyre janë objekte autentike edhe sot vazhdojnë të jenë funksionalë.

Ky muze është unik në llojin të tij në të gjithë rajonin e Ballkanit për nga stili që përfaqëson./ATSH