Të gjithë qytetarët e Kumanovës të cilët dëshirojnë të udhëtojnë për në Shkup autobusi i parë do të jetë në ora 7 të mëngjesit, tjetri në 12:05 si dhe i fundit në 16:05
Hekuran JASHARI
Kumanovë, 20 maj – Shenjat e para të kthimit drejt normalitetit, kanë filluar të shfaqen edhe në rajonin e Kumanovës. Në mbledhjen e fundit Shtabi për mmbrojtje dhe shpëtim pranë Komunës së Kumanovës u vendos që të rihapet stacioni i autobusëve në Kumanovë. Ky vendim vjen si pasojë e përmirësimit gradual të situatës në vend.
Gjatë 24 orëve të fundit janë bërë testime të 512 pacientëve, vetëm 19 prej tyre kanë rezultuar pozitiv, dy prej tyre janë nga qyteti i Kumanovës. Ky është edhe një lajm shpresëdhënës se megjithatë Kumanova gradualisht do t’i rikthehet ritmit normal të jetës, pas një periudhe rraskapitëse, si pasojë e pandemisë së virusit korona. Nga kompania e autobusëve “Rule Turs “ kanë bërë të ditur se nga nesër do të ketë linja autobusi drejt Shkupit por me orarë dukshëm të reduktuar. Të gjithë qytetarët e Kumanovës të cilët dëshirojnë të udhëtojnë për në Shkup autobusi i parë do të jetë në ora 7 të mëngjesit, tjetri në 12.05 si dhe i fundit në 16.05.
Përjashtim nuk bëjnë edhe linjat urbane. Kompania “Joco Turs “ ka njoftuar se do të bëjë transportimin e banorëve në nivel lokal nëpër fshatra të Kumanovës, mirëpo deri tash nuk dihet se sa duhet të jetë numri i udhëtareve të cilët lejohen brenda autobusit. Në funksion të normalizimit të gjendjes, janë edhe aktivitetet që po ndërmerren për pastrimin qytetit. Ndërmarrja publike “Pastrim dhe Gjelbërim” – Kumanovë, ka njoftuar se është pajisur edhe me dy kamionë të rinj të cilet do të sherbejnë për mbledhjen e mbeturinave. Kamionët janë blerë me buxhet të komunës me vlerë prej 80 mijë euro dhe kjo ka ardhur si nevojë e depërtimit të kamionëve edhe nëpër rrugë të ngushtë, ku edhe ka qenë vështirë të mblidhen mbeturinat me kamionët e vjetër. Kjo ndërmarrje disponon 17 kamionë për mbledhje të mbeturinave dhe pjesa më e madhe e tyre janë të amortizuar, ndërkohë që ka ende nevojë të blihen kamionë të rinj. (koha.mk)