Shkup, 27 shkurt – Në kuadër të fushatës “Ndihmë për Halepin” për refugjatët të cilët janë të vendosur në kampet në zonën kufitare të Turqisë me Sirinë, Ambasada e parë për fëmijë në botë “Megjashi” dhe Shoqata qytetare “Legis” këtë javë në Maqedoni e shpallën për “Javën e solidaritetit me fëmijët refugjatë nga Siria”. Pjesa e fushatës është drejtuar në mbledhjen e mjeteve financiare nga qytetarët dhe nga sektori i biznesit, ndërsa pjesa tjetër në ndërgjegjësimin e publikut, veçanërisht tek gjeneratat e reja. Qëllimi i kësaj fushate është ngritja e vetëdijes tek të rinjtë në institucionet edukative-arsimore për gjendjen në të cilën ndodhen bashkëmoshatarët e tyre nga Siria, si dhe nevoja për solidaritet dhe ndihmë për njerëzit të cilët vuajnë nga lufta. Drejtori i Ambasadës për Fëmijë “Megjashi”, Dragi Zmijanac, tha se fëmijët dhe të rinjtë e Maqedonisë duhet të njoftohen se si të ndihmohen njerëzit në fatkeqësi me aksione të ndryshme humanitare si dhe të gjitha mënyrat për të shprehur solidaritet. Ai apeloi që shkollat e vendit të paktën një orë mësimore t’i kushtojnë kësaj teme. “Kjo fushatë ka për qëllim që qytetarët e Maqedonisë të japin kontributin e tyre. Maqedonia deri më tani iu është përgjigjur të gjitha krizave dhe luftërave që kanë ndodhur në këto zona si dhe fëmijëve të prekur nga këto luftëra”, deklaroi Zmijanac, duke theksuar luftën në Bosnjë e Hercegovinë, atë në Kosovë, konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni dhe krizën e fundit të refugjatëve, si pasojë e të cilëve, siç tha ai, Maqedonia është kujdesur për dhjetëra mijëra refugjatë fëmijë dhe prindër nëpër kampe të ndërtuara në këtë territorin e Maqedonisë. Ndërkaq, kryetari i Shoqatës “Legis”, Jasmin Rexhepi, kërkoi edhe nga mediat t’i kushtojnë kohë për inçizim të emisioneve debative, arsimore dhe emisioneve për fëmijë në lidhje me gjendjen në të cilën ndodhen refugjatët, veçanërisht fëmijët. Ai bëri të ditur se në territorin e Maqedonisë aktualisht qëndrojnë të bllokuar rreth 130 refugjatë, prej të cilëve nga 50 ndodhen në kampin e refugjatëve në Gjevgjeli dhe Tabanoc, ndërsa të tjerët në qendrën për azil në Vizbeg të Shkupit.
“Kampet që i kemi në Maqedoni janë një ndër më të mirat në Ballkan. Fatkeqësisht problemi më i madh është se njerëzit në këto kampe nuk kanë liri dhe fëmijët nuk kanë arsim. Ata fëmijë refugjatë nuk mund të shkojnë në Kumanovë ose Gjevgjeli të vazhdojnë arsimin e tyre. Tashmë gati për një vit qëndrim në Maqedoni, ata fëmijë kanë humbur dy vite akademike”, u shpreh Rexhepi. Qytetarët do të kenë mundësi të japin donacione në mjete financiare online, në kutitë e përgatitura dhe të shpërndara nëpër supermarkete të frekuentuara më tepër si dhe në xhirollogarinë e cila do të shpërndahet në gazetat ditore dhe javore. Me mjetet e mbledhura, synohet t’i dërgohet ndihmë humanitare simbolike të përbashkët nga qytetarët e Maqedonisë deri tek fëmijët refugjatë nga Siria.