Nis hetimi i prokurorëve special që abuzuan me buxhetin

4

Shkup, 1 dhjetor – Ish-Prokuroria Speciale në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht prokurorët e saj që tashmë kanë kaluar në prokurorinë e rregullt janë vënë në shënjestër të kritikave të reja për keqpërdorim të buxhetit për aq kohë sa kanë qenë pjesë e ish organit special të akuzës.

Në fakt, Prokuroria për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pas dyshimeve dhe informacioneve të publikuara në opinion, që të shtunën ka nisur hetimin e rastit me ç’rast ka konstatuar se prokurorët specialë, përveç pagave që silleshin rreth 1300 euro në muaj, kanë marrë po aq edhe shtesa apo bonuse në muaj, që i bie çdonjëri prej tyre të ketë marrë më shumë se 22 mijë euro në vit apo rreth 100 mijë euro gjatë mandatit katërvjeçar.

“Të dhënat e para tregojnë se prokurorët specialë kanë marrë nga dy paga në muaj. Kjo tregon absurditetin se deri ku kanë shkuar me shpenzimin e parave shtetërore. Për shembull, edhe një sekretar i Prokurorisë Speciale ka marrë pagë më të lartë se presidenti i shtetit. Ata kishin të drejtë të marrin shtesa mujore, por ato nuk duhej të ishin më të larta se 35 për qind e pagës mujore”, tha ditë më parë prokurori i shtetit, Lubomir Jovevski. Të dielën, VMRO ka përsëritur akuzat se “Prokuroria Speciale ka funksionuar si një shoqatë kriminale përmes së cilës ka përvetësuar para përmes prokurorëve të LSDM-së dhe zyrtarëve”. Nga VMRO DPMNE-ja theksojnë se prokuroria nuk funksionon profesionalisht, por në bashkëpunim me partinë e Zoran Zaev.

Comments are closed.