Për filloristët dhe nxënësit e shkollave të mesme sot fillon gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2022/2023. Pushimi u vazhdua me vendim të Qeverisë për shkak të funksionalitetit të shkollave dhe mësimi në vend se në 18 janar, fillon sot.
Me shumë gjasa viti shkollor do të përfundojë më 14 qershor në vend se më 9 qershor (e premte), pasi siç tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, nxënësit duhet t’i plotësojnë të gjitha 180 ditët mësimore të përcaktuara me Kalendarin për procesin edukativo-arsimor në shkolla.
“Për funksionim sa më të mirë të procesit, për shkak se 18 janari është e mërkurë, data 19 është ditë feste për shumicën e qytetarëve dhe data 20 është e premte, vendosëm që gjysmëvjetori i dytë të fillojë të hënën. Poashtu, të plotësohen të gjitha 180 ditët e punës deri në fund të këtij gjysmëvjetori të dytë. Ka tre ditë pune mësimore dhe nuk shoh arsye që të ketë ndonjë problem”, tha Shaqiri javën e kaluar.
Ministri dje paralajmëroi se në fillim të gjysmëvjetorit të dytë do të dërgohet librat e matematikës dhe shoqërisë për klasën e dytë.
Ai para fillimit të gjysmëvjetorit të dytë theksoi se këtë vit do të ketë edhe një pjesë të teksteve për arsimin e mesëm të gjimnazit dhe thuajse të gjitha tekstet për arsimin e mesëm profesional do të jenë plotësisht në kapshëm në formë elektronike.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) këtë vit do të sigurojë edhe tekste të reja për gjuhët e huaja për arsimin fillor dhe të mesëm.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës marrë parasysh sfidat me tekstet shkollore që janë paraqitur, ka konstatuar se ka nevojë për një ligj të ri më të mirë për tekstet shkollore me të cilin do të minimizohen mundësitë për gabime, vonesa dhe probleme të ngjashme dhe jam i bindur se shtatorin e ardhshëm një pjesë e problemeve që u shfaqën do të tejkalohen dhe nuk do të përsëriten. Edhe pse MASH nuk është pjesë e procesit të miratimit të teksteve, shfrytëzoj rastin që të informoj opinionin se i aktivizojmë të gjithë mekanizmat e mundshëm që besimi i qytetarëve të jetë edhe më i madh”, deklaroi Shaqiri.