Laura PAPRANIKU
Shkup, 15 gusht – Duke nisur me ditën e sotme, në institucionet e arsimit të lartë në Maqedoni ka filluar edhe gara për regjistrimin e studentëve të ri për vitin akademik 2017/2018, shkruan gazeta KOHA. Siparin e kësaj gare duket se do ta hapin universitetet në gjuhën shqipe, pasi si rrallë ndonjë vit më parë – afati i parë i dorëzimit të dokumenteve nis njëkohësisht, në të njëjtën ditë në Universitetin e Tetovës, Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Në UT, sipas konkursit të publikuar për regjistrimin e studentëve të rinj, do të ketë 3870 vende të lira, prej të cilave 1405 me kuotën shtetërore, 2005 me bashkëfinancim dhe 460 me korrespondencë. Ndërkaq, në UNT për këtë vit janë siguruar 1850 vende gjithsej, prej të cilave 940 me kuotë shtetërore, 410 me kuotën e bashkëfinancimit dhe 230 vende me korrespondencë. Në universitetin privat të UEJL-së, për këtë vit janë planifikuar të regjistrohen 730 studentë të rinj, në programet studimore në Tetovë dhe në Shkup. Studimet në UEJL, janë me vetëfinancim, me çmime që lëvizin nga 650 deri 1000 euro për semestër, për dallim prej studimeve në UT dhe UNT, një pjesë e konsiderueshme e të cilave janë me kuotën e financimit shtetëror e për të cilat paguhet nga 100 euro semestri. Studimet me kuotën e bashkëfinancimit dhe me korrespondencë, në të dyja universitet publike, në UT dhe UNT do të kushtojnë nga 200 euro semestri. Në përgjithësi, në tre universitetet ku studimet zhvillohen në gjuhën shqipe, për vitin akademik 2017/2018 do të ketë 6450 vende. Në kuadër të studimeve që mbulohen nga buxheti i shtetit, pra që janë në kuotën shtetërore të financimit – janë vetëm 2390 vende edhe atë 1850 në UT dhe 940 në UNT. Risi në programet studimore të këtij viti ofrohen edhe në UNT, ku janë shtuar drejtime dhe profile të reja me interes për tregun e punës. Sipas numrit më të madh të vendeve të lira në UNT, janë Fakulteti i Shkencave Sociale me 540 vende, Fakulteti i Shkencave Teknike (420), Fakulteti i Shkencave Informatike (320), Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës (190) dhe Fakulteti i Shkencave Teknologjike (110).
Risia e këtij viti për UT-në është zgjerimi me dy fakultete të reja, Fakulteti Pedagogjik, i cili deri vitin e kaluar ishte në kuadër të Fakultetit Filozofik dhe, Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, i cili u themelua me akt të veçantë juridik vitin e kaluar. Në këto dy fakultete UT do të pranojë 100, respektivisht 180 studentë. Ndërkaq, nisur nga konkursi për vendet e lira në vitin akademik 2017/2018, fakultetet me numrin më të madh të studentëve në UT janë i Shkencave Matematike Natyrore me 520 vende, i Ekonomisë me 450 vende dhe i Shkencave Mjekësore me 390 vende. Në radhë, për nga numri i vendeve të lira vijnë Fakulteti i Shkencave të Zbatuara me 385 vende, Filozofisë me 380 vende, Filologjisë me 370 vende dhe Juridikut me 330 vende. Për Fakultetin e Administrim Biznesit në Kumanovë janë caktuar 220 vende të lira, ndërsa me më pak se 200 vende janë Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit (190), ai i Arteve (185), i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë (180), i Kulturës Fizike (170) dhe i Pedagogjisë (100). Dorëzimi i dokumenteve do të zgjat deri më 18 gusht për afatin e parë, ndërsa për afatin e dytë – nga 29 gusht deri më 4 shtator.
Në Universitetin më të madh në vend, në “Kirili dhe Metodi” në Shkup, afati i parë i dorëzimit të dokumenteve për regjistrim në vitin akademik 2017/2018 do të jetë të enjten dhe të premten, në datat 17 dhe 18 gusht. Këtu janë siguruar 10.818 vende, prej të cilave 5865 janë për studentë të rregullt me kuotën shtetërore të financimit, 3793 vende për studentë të rregullt me bashkëfinancim dhe 1116 për studime me korrespondencë. Tarifat e studimeve si në të gjitha universitete publike për një semestër janë 100 euro për studime me kuotën shtetërore të financimit, si dhe 400 euro në kuotën e bashkëfinancimit dhe në kuotën e studimeve me korrespondencë. Përndryshe, me vendimin që solli Qeveria për kuotat 4 studentëve, për të gjitha universitete publike janë siguruar 26.105 vende, prej të cilave 13.953 për studime të rregullta në kuotën shtetërore, 8367 për studime të rregullta me bashkëfinancim dhe 3785 për studime me korrespondencë. Një vëmendje e veçantë, sikurse është bërë e ditur paraprakisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i është kushtuar studimeve që ofrojnë kualifikime të nevojshme për tregun e punës. “Gjatë konfirmimit të numrave për regjistrim të studentëve është bërë llogari për nevojat e tregut të punës, deficitin e profesioneve dhe mundësitë e disponueshme për punësim, numrin e studentëve për të cilat janë akredituar fakultetet, si dhe për treguesit për interesin e nxënësve të shkollave të mesme për regjistrim në fakultete të caktuara viteve të kaluara”, bënte të ditur MASH. Si rezultat të qasjes së diskriminimit pozitiv gjinor dhe eurointegrimeve, është marrë vendim që në UKM të aktivizohen studimet gjinore në Fakultetin Filozofik të cilat ishin pezulluar 5 vjetet e kaluara, si dhe studimet për Siguri dhe Eurointegrime, të cilat gjithashtu ishin të pezulluara viteve të fundit. Për herë të parë këtë vit janë konfirmuar edhe kuotat për regjistrimin e studentëve me vetëm njërin prind, në programe të caktuara e që do të paguajnë gjysmën e shumës për regjistrim.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.