Shkup, 8 nëntor – Me fillim të seancës së Komisionit për çështje kushtetuese në të cilën debatohet për projekt-amendamentet kushtetuese startoi faza e dytë e procedurës për ndërrim të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Seancë e Komisionit kuvendor filloi dje me fjalim të kryeministrit Zoran Zaev, i cili i elaboroi katër projekt-amendamentet, ndërsa vazhdimi i seancës është caktuar për sot në ora 11.
Para anëtarëve të Komisionit, kryeministri theksoi se projekt amendamentet e propozuara janë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet ndërkombëtare për liri dhe të drejta të njeriut , si dhe në pajtim me interesat e Republikës së Maqedonisë dhe perspektivat e saj në integrimet euroatlantik. Vlerësoi se draft-amendamentet meritojnë mbështetje nga të gjithë deputetët në Kuvend.
“Deputetët, me mbështetje të nismës do të tregojnë se janë për të ardhme evropiane të Maqedonisë”, tha Zaev para Komisionit për çështje kushtetuese.
Për opozitën pakoja e ndryshimeve kushtetuese merret pa konsensus, ndërsa deputetët nuk kanë mandat të debatojnë për ndryshimet e Kushtetutës sepse referendumi ka qenë i pasuksesshëm. Dalja e vetme nga situata, sipas tyre është që të shkohet në zgjedhje të reja. Një pjesë e tyre konsiderojnë se nuk duhet të ndërrohet emri i shtetit në Preambulën e Kushtetutës, ndërsa Ilija Dimovski propozoi plotësim të draft-amendamenteve, me të cilën do të përcaktohet afati i tyre i kohëzgjatjes. Kërkuan që edhe seanca e Komisionit për ndryshime kushtetuese të transmetohet drejtpërdrejtë.
Shumica parlamentare me qëndrim se zgjidhja e emrit është e mirë dhe shtesa “veriore” nuk e rrezikon identitetin. Marrëveshjen e Prespës e shohin si shans që të lëvizë shteti përpara dhe të bëhet pjesë e aleancave më të fuqishme.
Aleanca për shqiptarët dhe BESA e shikojnë hapjen e Kushtetutës si mundësi të mirë që të bisedohet edhe për barazimin e gjuhës shqipe me atë maqedonase, respektivisht gjuha shqipe të bëhet gjuhë zyrtare në gjithë territorin e shtetit me çka do të mbylleshin të gjitha çështjet e hapura.
Seanca e Komisionit për çështje kushtetuese mund zgjat 12 ditë, ndërsa seanca plenare tashmë është caktuar për më 1 dhjetor. Draft-amendamentet vërtetohen me shumicë të thjeshtë apo 61 votë, pas së cilës duhet të organizohet debat publik, kohëzgjatjen e së cilës e vërteton Parlamenti. Pas kësaj, Qeveria i harton propozim-amendamentet dhe sërish i dërgon në Kuvend, e cila duhet t’i aprovojë me dy të tretën e shumicës, ose për to do të duhet të votojnë të paktën 80 deputetë. Për amendamentin e Preambulës së Kushtetutës përveç dy të tretës, nevojiten edhe shumica e Badenterit.
Më 19 tetor Kuvendi me 80 vota “pro” e mori vendimin për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese, konform Marrëveshjes së Prespës. Për nevojën për ndryshime kushtetuese votuan edhe tetë deputetë të partisë opozitare VMRO-DMNE.