Fillimisht palët në konflikt ishin rrahur mes vete në një lokal nate e më pas ka ndodhur plagosja.Një rrahje ka ndodhur para pak ditësh në një diskotekë në Prishtinë.
Ndërkohë të përfshirë në këtë incident kanë qenë disa persona, që janë familjar të deputetit Islam Pacolli.
E Televizoni 7 mëson se palë e kundërt në këtë rast, ka qenë nipi i ish deputetit të PDK-së Shaip Muja.
Të dyja palët nuk kanë mundur të kalojnë këtë ngatërresë mes tyre, e kjo rrahje nuk ka përfunduar me kaq.
Të dielën pak para mesnate një incident tjetër ndodhi në mes të dyja palëve.
Kësaj radhe, viktimë ishte vëllai i Islam Pacollit, Osmani.
Ai në Breg të Diellit, është plagosur me armë zjarri në të dyja këmbët.
Ndërkohë, Televizioni 7 nga burime brenda organeve të sigurisë, mëson se i dyshuari kryesor për këtë rast është nipi i Shaip Mujës me inicialet A.M.
Televizioni ka provuar të kontaktojë me të dyja palët e përfshira, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Ndërkohë, shumë komente në lidhje me këtë rast nuk kanë dhënë as Prokuroria e Shtetit.
Pak fjalë për këtë rast ka thënë prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Rasti është në vlugu të hetimeve. Deri me tani është kryer një bastisje, me urdhër të gjykatës. Arsyet se pse ka ardhur deri tek rasti do të mësohen gjatë fazës së hetimeve”, ka thënë prokurori Ibrahim Berisha.
Ndërkohë Televizioni 7, ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës, për këtë rast
Zyrtarja për informim në drejtorin rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar se deri me tani nuk ka ndonjë të arrestuar për këtë rast.
Ndërsa, në komunikatën e lëshuar një ditë më parë, Polica ka njoftuar se ka identifikuar të dyshuarin.
“Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me vrasje në tentativë ku nga arma e zjarrit ka marrë plagë viktima: O. P, mashkull, 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor. Lidhur me rastin në fjalë policia ka identifikuar personin e dyshuar: A. M, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës i cili aktualisht ndodhet në arrati. I plagosuri në këtë rast është jashtë rrezikut për jetë”.