Psarades, 17 qershor – Ndërmjetësi i KB-së në zgjidhjen e çështjes për kontestim për emrin, Methju Nimic tha se “nuk ka dhuratë më të mirë” për ditëlindjen e tij me nënshkrimin e sotëm të Marrëveshjes me të cilën përfundimisht i jepet fund kontestit 27-vjeçar.
Nimic i përgëzoi kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras si edhe ministrat e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias.
“Të gjendet zgjidhje për këtë problem kërkon lidership të mençur dhe vizion strategjik dhe këta liderë treguan se i posedojnë këto cilësi të rëndësishme. Nuk mundeni shpesh të gjeni në të njëjtën kohë edhe maturi edhe vizion politik dhe aftësi diplomatike, ndërsa të tre cilësitë ishin të pranishme edhe tek këta katër liderë të cilët kanë punuar me angazhim të madh. Kjo është e rrallë”, theksoi Nimic.
Ai shtoi se beson se Marrëveshja është në interes të të dyja vendeve.
“Ishte kënaqësi për mua që isha ndërmjetësues dhe që tani mund të jem dëshmitar i nënshkrimit të kësaj marrëveshje. Ishte kënaqësi të bashkëpunoj me këta dy ministra por edhe me të gjithë ministrat paraprak në këtë proces të gjatë dhe të vështirë duke e zgjidhur këtë problem i cili për një periudhë të gjatë rezultoi me një marrëveshje e cila është e drejtë, e ndershme dhe e zbatueshme, ky do të jetë sukses jo vetëm i marrëdhënieve midis dy vendeve por edhe do të shërbejë edhe si shembull për rajonin, se dy fqinj, mund të zgjidhin një problem nëse angazhohen për të njëjtin”, deklaroi Nimic në ceremoninë e nënshkrimit.