Procesi shkon përpara, te të dy palët ku ka vullnet të gjendet zgjidhje. Krijohet moment politik që duhet të shfrytëzohet. Tani është koha e duhur që të arrihet zgjidhje dhe përfundimisht rajoni të shkojë përpara, ndërsa të vazhdojë bashkëpunimi dhe miqësia mes të dy vendeve, deklaroi ndërmjetësuesi i KB-së në bisedimet për emrin Methju Nimic pas takimit në MPJ me shefin e diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov.
I pyetur nëse propozimet e tij, përveç emrit, përfshijnë edhe ndryshim të identitetit, Nimic tha se deri tani nuk ka dëgjuar asgjë nga pala greke që do të vlente ngritje të identitetit të popullit të Maqedonisë.
“Besoj se zgjidhja, e cila është e mundshme, është konzistente. Ka dallime në qëndrimet mes të dy vendeve, por unë jam optimist”, deklaroi Nimic.
Dimitrov deklaroi se bëhet fjalë për çështje të jashtëzakonshme për qytetarët e RM-së dhe ndiqet me vëmendje dhe shqetësim të madh.
“Ne kemi mirëkuptim të tërësishëm për atë. Duam që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë që edhe te ne edhe në Greqi do të konsiderohet si dinjitoze. Kemi mirëkuptim për qytetarët e Greqisë të cilët identifikohen si maqedonas, por në Evropë në shekullin 21 jo vetëm fqinjët tanë në Greqi por askush nuk mund ta prekë edhe të drejtën tonë të jemi maqedonas dhe të flasim në gjuhën maqedonase, e cila është në grupin e gjuhëve sllovene”, tha shefi i diplomacisë.
Dimitrov si të rëndësishme e vlerësoi ndihmën e Nimicit, por paralajmëroi se duhet të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm gjatë kumtimit të qëndrimeve përfundimtare në opinion. Sipas tij, që të ketë zgjidhje është shumë e rëndësishme në proces të jemi të kujdesshëm, sepse sa më shumë flasim për vija të kuqe në opinion aq më pak ka hapësirë për bisedë dhe zvogëlohen mundësitë që të gjendet zgjidhje që do të pranohet për të dy palët.
“Nga ana jonë ka vullnet, shpresojmë se edhe nga ana tjetër do të ketë. Nëse ka mënyrë dinjitoze që e respekton identitetin dhe dinjitetin e të dy palëve, do ta gjejmë. Është e mundur edhe të mos ketë mënyrë të tillë, por obligimi ynë është të mundohemi ta gjejmë”, deklaroi Dimitrov.
Potencoi se është biseduar për idetë e Nimicit, detajisht dhe seriozisht.
“Ka ide të cilat nuk janë ashtu të këqia dhe disa të cilat nuk janë ashtu të mira dhe krijojnë shqetësim tek ne. Në bazë të asaj që e ka marrë në Greqi dhe nga bisedat në Shkup do të shohim se si do të rrjedhë procesi”, tha Dimitrov.