Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara në bisedimet për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic e përshëndeti zgjidhjen e pranueshme të përbashkët që e arritën kryeministrat e të dyja vendeve Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.
“Dëshiroj t’i përgëzoj për përfundimin e suksesshëm të negociatave për dallimet të cilat ekzistonin midis tyre. Nuk dyshoj se marrëveshja do të çojë drejt përforcimit të marrëdhënieve midis dy shteteve fqinje, veçanërisht midis qytetarëve të tyre. Në këtë kontekst jam i inkurajuar prej vendosmërisë së dy qeverive të kontribuojnë për mirëqenien e qytetarëve të tyre përmes vendosjes së partneritetit strategjik si bazë për bashkëpunimin intensiv në të gjitha sferat”, thotë Nimic në deklaratën me shkrim.
Shton se ka qenë nder për të të ndërmjetësojë midis dy vendeve dhe shpreh falënderim edhe për sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh, si dhe për paraardhësin e tij në vendin e negociuesit në bisedimet për emrin Sajrus Vens.
“Para së gjithash dëshiroj t’i falënderoj dhe t’i përgëzoj dy ministrat e Punëve të Jashtme Dimitrov dhe Koxias të cilët demonstruan lidership, vizion dhe vendosmëri në procesin negociues dhe nuk hoqën dorë prej angazhimeve për t’u gjetur zgjidhje e përbashkët e dobishme për kombet e tyre dhe për të gjithë rajonin”, thekson Nimic.