Shkup, 16 prill – Përgatitet oferta e lakrës së Maqedonisë për tregun rus. Mblidhen të dhënat për sasitë dhe çmimet në dispozicion. Intensivisht udhëhiqen biseda për plasman, tha ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski.
Pas takimit me prodhuesit e verës në Gradsko, Nikollovski theksoi se edhe sot përfaqësuesit e Ministrisë do të kenë takim me prodhuesit nga Strumica.
Ukraina dhe Rusia tani për tani nuk importojnë lakër nga Maqedonia sepse kanë pasur qarkullim nga vendet e tjera me çmime shumë më konkurruese.
“Në këto momente përgatiten informata të cilat do të dërgohen deri në Odën ekonomike të Maqedonisë dhe Rusisë e cila i udhëheq bisedat. Besoj se do të kemi rezultate”, theksoi ministri.
Sipas tij, bëhen përpjekje maksimale jo vetëm për lehtësimin e eksportit, por edhe për sigurimin e tregjeve të reja.
Çmimi i lakrës për momentin, sipas ministrit, është 12 denarë për kilogramë.