Shkup, 5 mars – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski sot në mëngjes përmes telefonit ka biseduar me ministrin serb të Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimeve, Rasim Lajiq rreth problemit me miellin.
Siç informojnë për MIA-n nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU), janë duke u shqyrtuar të gjitha opsionet për tejkalimin e gjendjes.
Detajet do të kumtohen më vonë, pasi është paraparë Nikollovski gjatë ditës edhe njëherë të dëgjohet me Lajiqin.
Ministri Nikollovski të shtunën kumtoi se është dakorduar që të formohet komitet midis dy palëve i cili do t’i hap të gjitha çështjet e mundshme, ndërsa seanca e parë është caktuar këtë muaj në Nish. Më 7 shkurt, për miellin pritet të flitet edhe në seancën e parë të Komitetit për Bujqësi dhe Siguri të ushqimit në Qeverinë e RM-së që e udhëheq kryeministri, Zoran Zaev.
Problemi me importimin e miellit nga Serbia u krijua pasi Maqedonia më 8 shkurt të këtij viti, i vendosi ndryshimet në Rregulloren ekzistuese. Me ndryshimet urdhërohet që miellit t’i vihen etiketa pas distribuimit të tij dhe kontroll i plotë në vend, dhe jo para se të arrijë në Maqedoni, nga eksportuesit.
Serbia reagoi pasi që vlerëson se Maqedonia vendos barriera, me ç’rast prej palës së Maqedonisë mohohet dhe përmendet se kushtet për import edhe deri më tani kanë qenë të njëjta, ndërsa ka ndryshuar vetëm radhitja e tyre dhe se duhet të respektohen.
Nikollovski dhe Lajiq javën e kaluar ishin në komunikim të vazhdueshëm, ndërsa të premten duhej të kenë edhe takim në Shkup. Por, takimi u anulua nga pala serbe pasi, siç deklaroi Lajiq, “me Nikollovskin nuk kanë arritur pajtim rreth tërheqjes së Rregullores kontestuese me të cilën mullisëve serbë u është vështirësuar eksporti në tregun e Maqedonisë”.