Ohër, 3 prill – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski sot në Ohër tha se nuk pret që ngjarjet e fundit në marrëdhëniet me Rusinë të kenë pasoja negative për eksportin e prodhimeve tona bujqësore në tregun rus.
“Unë jam kryetar i komisionit ndërqeveritar Maqedoni-Rusi dhe deri tani nuk jam i informuar për çfarëdo sanksionesh potenciale ose masa të tjera të shkaktuara nga aspekti politik”, theksoi Nikollovski.
Sipas tij, përkundër praktikave të deritanishme të ndërmerren aktivitete të cilat kanë kontribuar për mbylljen e një varg tregjeve për prodhimet nga Maqedonia, kjo garniturë qeveritare është fokusuar pikërisht në hapjen e tregjeve të reja.
“Ne punojmë në forcimin e gjithë këmbimit tregtar me të gjitha shtetet, si nga rrethina, ashtu edhe më gjerë. Ministria dhe unë personalisht jemi të fokusuar në sigurimin e plasmanit të pandërprerë të prodhimeve tona jashtë. Këtë e bëjnë edhe kryeministri dhe e gjithë Qeveria, në frymën e të gjitha proceseve të cilat udhëhiqen në Republikën e Maqedonisë. Nuk presim sanksione nga asnjë anë, përkundrazi, punojmë në mundësimin e plasmanit të ri dhe hapjen e marrëveshjeve të reja për prodhimtarinë e Maqedonisë jashtë vendit”, tha Nikollovski.
Për protestat e paralajmëruara të bujqve nga Ovçepolja për shkak të subvencioneve të papaguara, Nikollovski theksoi se ka përfunduar koha e pagesës së subvencioneve vetëm para zgjedhjeve dhe për keqpërdorime për qëllimet partiake.
“Me dinamikë të përforcuar Agjencia për pagesa këtë vit i paguan subvencionet për bujqit, atëherë kur ju nevojiten, ndërsa 90 për qind e subvencioneve në programin e vazhdueshëm do të paguhen në afatin e paraparë me ligj”, tha ministri, duke theksuar se ky është viti i parë që subvencionet të paguhen atëherë kur është paraparë me kalendar.
Ministri Nikollovski sot në Ohër kishte takim pune me ministrin shqiptar të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi.