Nikollovski: Forcojmë kapacitetet për të luftuar korrupsionin

19
Shkup, 18 shtator – Zëvendëskryeministri, Ljupço Nikollovski, paralajmëron koordinimin e institucioneve për të luftuar në mënyrë efikase korrupsionin në vend. Ai thotë se udhërrëfyes për këtë do të jenë raportet e Entit Shtetëror për Revizion. Sipas tij, racionalizimi i kapaciteteve dhe shkurtimi i shpenzimeve të panevojshme do të jenë prioritet për të siguruar rezultate. Prioritet i tij do të jetë zgjidhja sistematike ligjore për kontrollimin e pronës së funksionarëve, përfshirë rishikimin e përfitimeve dhe luksit të funksionarëve të pushtetit qendror, deputetëve dhe drejtorëve të institucioneve.
“Duhet patjetër ta kthejmë besimin me hapa konkretë dhe vepra pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Nuk ka rëndësi mbrojtja politike, diçka e tillë nuk duhet të ekzistojë dhe askush nuk guxon të jetë mbi ligjin. Tani ka ardhur koha që të vendosim rend gjithandej në të gjitha fushat e jetës sonë dhe për këtë gjithsesi do t’i forcojmë kapacitetet aty ku do të shprehet nevoja. Mund të shkurtohen apo shuhen institucione, kemi ndërmarrje publike për menaxhim me objektet sportive, kemi “Agroberzë” që nuk funksionon, kemi një numër institucionesh të tilla për të cilat do të angazhohem që të shuhen.”,- deklaroi zëvendëskryeministri kundër korrupsionit, Ljupço Nikollovski.
Nikollovski tha se javën që vjen do të takojë përfaqësuesit e institucioneve për të koordinuar themelimin e sistemit projektues që do të skanojë problemet. Ai paralajmëroi forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e autorizimeve për të luftuar korrupsionin.

Comments are closed.