Ohër, 19 tetor – Përfaqësues të komunitetit akademik, të sektorit afarist, të institucioneve të tjera dhe shkencëtarë me renome nga 26 vende po marrin pjesë në punën e Simpoziumit të tretë ndërkombëtar për bujqësi dhe ushqim që me rastin e 70-vjetorit të Fakultetit për shkenca bujqësore dhe ushqim pranë Universitetit “Shën Cirili e Metodi” prej sot po mbahet në Ohër. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikollovski në fjalimin para pjesëmarrësve theksoi se bujqësia është një ndër sektorët më të rëndësishëm i cili në bruto prodhimin vendor të përgjithshëm merr pjesë me 13 për qind, i cili pas veprimtarisë shërbyese dhe industrisë përpunuese është sektori i tretë për nga madhësia në ekonominë nacionale, njëkohësisht duke siguruar të ardhura dhe punësim të mbi 17 për qind të fuqisë punëtore në vend. “Ministria do ta vazhdojë bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet shkencore gjatë krijimit të politikave agrare për zhvillim, me qëllim të zhvillimit të sektorit të adaptuar drejt politikës së përbashkët evropiane. Për momentin po përgatitet program pesëvjeçar nacional për mbështetje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural, në përgatitjen e të cilit marrin pjesë dhe do të japin kontributin e vet jo vetëm institucionet por një numër i madh ekspertësh”, tha ai. Ai shprehu bindje se nga tubimi në Ohër do të dalin një numër i madh konkludimesh, rezultate të dobishme që do të mund të zbatohen në praktikë, me qëllim të përfundimit të suksesshëm të procesit të modernizimit të agrarit të Maqedonisë. Në Simpozium do të prezantohen 386 punime në sferën e arritjeve shkencore dhe praktike në sferën e bujqësisë dhe prodhimit të ushqimit, ndërkaq vetë simpoziumi do të jetë mundësi e mirë për nxitje të diskutimeve, bashkëpunimit dhe veprimtarisë së mëtutjeshme shkencore dhe hulumtuese mes universiteteve, instituteve, sektorit të agrobiznesit dhe institucioneve të tjera relevante. Në kuadër të tubimit shkencor në Ohër do të mbahen edhe Takimi i 39-të Fakultet – Ekonomi, Simpoziumi i 9-të për ndërtimtari dhe hortikulturë, Simpoziumi i 6-të për vreshtari dhe verari, Konferenca e 11-të ndërkombëtare e Shoqatës së agroekonomistëve të Maqedonisë, si dhe Takimi i 39-të i Shoqatës për mbrojtje të bimëve në Republikën e Maqedonisë.