Për të dytën ditë me radhë, gazeta beogradase Blic, në faqen e parë, ka publikuar porosi anti luftë dhe kundërshtim ndaj deklarata luftënxitëse të presidentit të vendit të tyre, Tomislav Nikoliç. Pas provokimit që e shkaktuan vetë zyrtarët serbë, me një tren që nga pala kosovare u konsiderua si provokues dhe shkelje e ligjeve, dhe pas reagimit të institucioneve të Kosovës që dërguan njësitë speciale për të ndalur trenin, pala serbe u detyrua që të zmbrapset. Treni me parullat provokuese për shtetin e Kosovës si “Kosova është Serbi” u ndal pa hyrë në Kosovë. Treni u ndalua por shkaktoi nervozë të jashtëzakonshme te kreu serb, sidomos te Presidenti i Serbisë, Nikoliç, i cili dha deklarata luftënxitëse duke kërcënuar se “do të dërgonte ushtrinë nëse shqiptarët do të vrasin serbë në Kosovë”. Siç duket Nikoliç nuk e ka llogaritur faktin se njerëzit në Serbi nuk e mbështesin më luftën. Gazeta Blic vazhdon me botimin në faqen e parë të saj të kërkesave për Nikoliç, për dy ditë me radhë, që të heqë dorë nga idetë e tij luftënxitëse ku botimi i fundit në faqen parë me titull: “President, ju shkoni në luftë, ne na lini të qetë”, duke vazhduar: “A thua nuk na mjaftuan jetët e humbura, njerëzit e zhvendosur, shpirtërat e vuajtur, rinitë e ndërprera?”. Blic shkruan më tej se bashkëbiseduesit e gazetës thanë se Presidenti duhet të përgjigjet në këto pyetje para se të deklarojë atë që deklaroi.