Ish-arbitri i Seria A Rosario Lo Bello ka kritikuar ashpër Nicola Rizzoli-n duke e quajtur paraqitjen e tij në Derbin e Italisë mediokër dhe frikacak. Rizzoli u sulmua nga kampi interist pasi refuzoi t’i jepte zikaltërve dy penallti dhe duke larguar Ivan Perisic me karton të kuq në fund të ndeshjes. Paraqitja e tij në ndeshjen e së dielës që përfundoi me rezultatin 1:0 për vendasit në “Juventus Stadium” ka bërë që Lo Bello – djali i arbitrit legjendar Concerto Lo Bello dhe një arbitër i respektuar në Itali gjatë viteve 1980 – ta kritikojë ashpër. “Rizzoli? Ai është një arbitër mediokër,” shprehet ai për ItaSportPress.it.
“Të gjitha ndeshjet që ai arbitron janë të mbushura me gabime dhe episode të dyshimtë, çka konfirmon se ai është një arbitër mediokër, megjithëse ka fërshëllyer shumë finale. Unë e quaj ‘Don Abbondio’ (një personazh frikacak i letërsisë italiane) i arbitrave italianë. Pastaj, kur arbitron Juventus-in ai bën aq shumë gabime sa që njerëzit e kanë veshur me fanellën bardhezi nëpër internet. Rizzoli është i njëjti arbitër që u shpreh se Bonucci nuk e goditi me kokë. Por mos ishte duke pritur një puthje nga mbrojtësi juventin?”